Rrugët Që Bllokohen Për Samitin Në Tiranë Më 14, 15 Dhe 16 Maj – Oraret, Zonat e Ndaluara dhe Devijimet e Qarkullimit

0

TIRANË – Me rastin e Samitit të Komunitetit Politik Europian, që do të zhvillohet më 16 maj 2025, Policia e Shtetit ka shpallur një plan të zgjeruar masash sigurie, që përfshin bllokime rrugësh, devijime trafiku, ndalim parkimesh dhe kontrolle të shtuar në shumë zona të kryeqytetit.

Çfarë Do Të Ndodhë Në 15 Dhe 16 Maj Në Tiranë?

Drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike, Rebani Jaupi, bëri të ditur se i gjithë qarkullimi në zonën e samitit do të jetë i bllokuar nga ora 06:00 deri në 18:00, më 16 maj. Zona përfshin Sheshin Skënderbej, Bulevardin Zogu I, rrugën Myslym Shyri, Ibrahim Rugova, Dëshmorët e Kombit, Urani Pano, Barrikadave, George W. Bush, dhe segmente të tjera qendrore.

Rrugët e devijimit për automjetet janë:

  • Zogu I devijon tek Ministria e Drejtësisë
  • Rruga e Durrësit devijon tek Ministria e Arsimit dhe Sportit
  • Rruga e Kavajës devijon tek semafori i Tymit
  • Myslym Shyri devijon tek Sami Frashëri
  • Rruga e Dibrës dhe Hoxha Tahsim devijojnë tek Tefta Tashko

Bllokime Të Plota Në Akset Ndërqytetëse

Do të ketë bllokim të plotë të autostradës Tiranë-Durrës, rrugës së Elbasanit dhe Unazës së Re në disa intervale kohore kur lëvizin delegacionet, sidomos më 14, 15 dhe 16 maj në këto orare:

  • 14 maj: 22:00 – 23:00
  • 15 maj: 08:00 – 24:00
  • 16 maj: 06:30 – 11:30 dhe 13:00 – 18:00

Rrugë alternative për Rinasin janë: Unaza e Re, rruga dytësore për Kamzë–Domje–Laknas–Rinas, rruga “Pasho Hysa”, si dhe bypasset e Qafë-Kasharit dhe Saukut.

Ndalohen Parkimet Publike Dhe Private

Nga 15 deri më 16 maj, ndalohet parkimi në:

  • Rinas: zona VIP dhe parkimet private
  • Tiranë: Sheshi Skënderbej, Hotel Plaza, Hotel Tirana, Green Tower, Toptani, Torre Drini

Të gjitha automjetet që nuk respektojnë rregullat do të largohen me karrotrec dhe do të gjobiten.

Kufizime Për Rrugët Që Lidhen Me Hotelet Ku Strehohen Delegacionet

Do të kufizohet qarkullimi në rrugët përreth Hotel Plaza, Rogner, Radisson, Hilton, Marriot, MAK Albania, dhe të tjerë, në oraret e lëvizjes së delegacioneve.

Ndalohet Pushimi Dhe Qëndrimi I Automjeteve

Në datat 15 dhe 16 maj, nga ora 06:00 deri në 20:00, ndalohet qëndrimi i automjeteve në të gjitha rrugët e përfshira në planin e masave, përfshirë edhe Rrugën e Elbasanit dhe Bulevardin “George W. Bush”.


Qytetarë, Kujdes: Evitoni Qarkullimin Në Qendër Më 15 Dhe 16 Maj

Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme, të ndjekin udhëzimet e efektivëve në terren, dhe të informohen në kohë reale përmes faqes zyrtare të Policisë dhe numrit 112.

Tirana pritet të jetë kryeqendra e Evropës më 16 maj, por për qytetarët nënkupton një ditë me trafik të rënduar, rrugë të bllokuara dhe kufizime të forta.


Artikulli i mëparshëmNdryshojnë Balancat Në Tiranë: PD I Rimerr Mandatin Shehajt, Jorida Tabaku Futet Në Kuvend