
Kryetari i opozitës, Sali Berisha, ka shpallur një protestë për të premten, më 16 maj, ora 17:00, në Bulevardin e Ri, në të njëjtën ditë kur në sheshin Skënderbej zhvillohet Samiti i Komunitetit Politik Europian, me praninë e liderëve më të rëndësishëm të BE-së.
Por ndryshe nga pritshmëritë, protesta nuk do të mbahet në afërsi të samitit, por në një zonë periferike për nga ndikimi – një tërheqje taktike që shumë e lexojnë si mungesë guximi përballë Ramës. Me fjalë të tjera, Berisha zgjedh të mos sfidojë imazhin e kryeministrit në sy të ndërkombëtarëve, duke ruajtur fasadën e një proteste, por pa shkaktuar asnjë tronditje reale.
Në rrjetet sociale, opozitarët e zhgënjyer kanë nisur të reagojnë ashpër:
- “Berisha nuk mbrojti votën, por vetveten!”
- “Në vend që të protestojë përballë Ramës, i hap rrugën propagandës qeveritare”
- “Opozita nuk do të ngrihet kurrë në këmbë me këtë lloj lidershipi”
Fakti që protesta zhvillohet në të njëjtën ditë me samitin, por nuk synon përballje direkte, tregon sipas shumë analistëve, jo një strategji, por një dështim moral dhe politik për t’u përballur me të vërtetën: Sali Berisha nuk ka më fuqinë të mobilizojë realisht kundër sistemit që vetë ndërtoi.
Ai që dikur tundte bulevardin e Tiranës, sot zgjedh hijen e një rruge dytësore për të ulëritur për drejtësi – por jo për të sfiduar drejtësinë që i mohon shqiptarëve ndryshimin.
Opozita ka nevojë për frymë, për vizion, për kurajë – jo për rrethime mbrojtëse të Berishës dhe familjes së tij: Zenit, Arminës, Argitës dhe Abit.
Kush shkon në këtë protestë, ka vendosur të mbetet përjetësisht në opozitë, jo si qytetar që kërkon ndryshim, por si servil i një familjeje që ka marrë peng një vend të tërë.