Faktori Ndërkombëtar Godet Zgjedhjet: Mungesa e Medias së Pavarur dhe Mbyllja e TikTok Kompromentojnë Procesin

0

Një raport i publikuar nga OSBE/ODIHR dhe referuar gjerësisht nga aktorë ndërkombëtarë ka hedhur hije të rënda mbi standardet e zgjedhjeve të 11 majit në Shqipëri, duke evidentuar shkelje serioze që lidhen me mjedisin mediatik, lirinë e informimit dhe qasjen e barabartë të partive në fushatë.

Sipas raportit, një ndër kriteret kyçe të Kartës së Kopenhagës – informimi i drejtë dhe i larmishëm i qytetarëve për alternativat politike – është shkelur rëndë për shkak të mungesës së medias së pavarur, filtrimit të informacionit dhe vendimit të diskutueshëm të qeverisë për bllokimin e rrjetit TikTok disa javë para zgjedhjeve.

Media e Varur dhe Informacion i Kontrolluar

Raporti vëren se shumica e medias në Shqipëri varet nga burime financimi të paidentifikuara, që shpesh burojnë nga interesa të lidhura me qeverinë ose bizneset klienteliste. Kjo varësi ka çuar në deformimin e informacionit, ku përmbajtjet e lajmeve shpesh janë të përgatitura nga strukturat qeveritare dhe jo nga gazetarë të pavarur.

Pavarësia, larmishmëria dhe integriteti i lajmeve janë eroduar, duke dëmtuar rëndë procesin zgjedhor,” thuhet në raportin e OSBE/ODIHR.

Ndalimi i TikTok, Censurë që Ndikon në Votime

Një tjetër pikë e nxehtë e raportit është vendimi i qeverisë për të mbyllur përkohësisht rrjetin TikTok më 6 mars, me arsyetimin e parandalimit të bullizmit në shkolla. Por sipas analizës ndërkombëtare, ky veprim konsiderohet i papërputhshëm me standardet demokratike dhe ka ndikuar ndjeshëm në aftësinë e kandidatëve të rinj për të komunikuar me votuesit, sidomos ata më të rinj në moshë.

TikTok konsiderohej si platforma e vetme ku përmbajtja alternative kishte mundësi reale të depërtonte, ndryshe nga Facebook dhe Instagram që favorizojnë përmbajtje me pagesë, duke ndëshkuar financiarisht partitë e vogla.

Propagandë, Jo Gazetari

Raporti kritikon gjithashtu centralizimin e informacionit nga Agjencia e Medias dhe Informimit, e cila ndodhet nën varësinë direkte të Kryeministrit. Kjo agjenci filtron dhe shpërndan materiale propagandistike, duke reduktuar rolin e gazetarëve në një fushatë që u kthye në teatër të inskenuar.

Gazetarët raportojnë se janë penguar fizikisht të regjistrojnë aktivitete publike të Partisë Socialiste, ndërsa konferencat për shtyp janë reduktuar ndjeshëm, duke kufizuar transparencën.

Pabarazi në Fushatë dhe Reklamim të Maskuar

ODIHR ka shënuar me shqetësim se intervista dhe kronika zgjedhore të transmetuara në media kanë qenë të paguara, por nuk janë etiketuar si të tilla, në kundërshtim me Kodin Zgjedhor. Kjo praktikë e ka dëmtuar rëndë konkurrencën e ndershme, duke vendosur në disavantazh kandidatët me më pak burime.

Kritikë e Fortë Ndërkombëtare

Në përfundim, raporti deklaron se zgjedhjet në Shqipëri nuk kanë përmbushur standardet ndërkombëtare, për shkak të:

  • Abuzimit me pushtetin dhe burimet shtetërore
  • Frikësimit të votuesve nga rrjeti i patronazhistëve
  • Mungesës së qasjes së barabartë në media për të gjithë kandidatët
  • Censurimit të rrjeteve sociale si TikTok
  • Përdorimit të medias për propagandë shtetërore dhe jo për gazetari të lirë

Raporti është konsideruar më kritik se kurrë më parë ndaj një procesi zgjedhor në Shqipëri dhe ngre pikëpyetje serioze për demokracinë dhe pluralizmin në vend në vitet që vijnë.


Artikulli i mëparshëmMakina Përplaset Me Motorin Te “Shkalla E Tujanit”, Dy Të Rinj Humbin Jetën
Artikulli i radhësMacron Uron Ramën Për Fitoren: Franca në Krah të Shqipërisë në Rrugën Drejt BE-së