BE kritikon fortë zgjedhjet – Nuk U Zhvilluan Në Kushte Të Barabarta

0

Bashkimi Europian ka reaguar zyrtarisht mbi zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, duke theksuar se procesi nuk u zhvillua në kushte të barabarta loje, për shkak të përdorimit të burimeve administrative dhe ndikimit institucional nga mazhoranca.

Në një deklaratë të përbashkët nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Sigurinë, Kallas, dhe Komisioneri për Zgjerim, Kos, thuhet se ndonëse dita e votimit ishte e qetë dhe e organizuar mirë, “garuesit nuk gëzonin kushte të barabarta për shkak të avantazheve të shumicës qeverisëse”.

BE përgëzon administratën zgjedhore, për menaxhimin gjithëpërfshirës dhe transparent të procesit dhe për futjen për herë të parë të votimit nga jashtë vendit. Megjithatë, sipas gjetjeve të misionit të OSBE/ODIHR-it, zgjedhjet janë zhvilluar në një mjedis shumë të polarizuar, me raporte për kërcënime ndaj kandidatëve, presion ndaj votuesve, veçanërisht ndaj punonjësve të administratës publike, dhe me mbulim të pabalancuar mediatik.

Transparenca e financimit të fushatës mbetet e kufizuar, ndërsa pavarësia e medias vazhdon të jetë një shqetësim i përsëritur”, thekson deklarata e BE-së.

Në të njëjtën kohë, BE vlerëson përpjekjet e koordinuara për hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve zgjedhore, duke i quajtur ato “një zhvillim të mirëpritur” që duhet të vijojë me seriozitet për të adresuar abuzimet e raportuara.

BE kërkon miratimin e një reforme zgjedhore të plotë, që adreson rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, përfshirë edhe ato të mbetura nga zgjedhjet e mëparshme. Deklarata e Brukselit nënvizon se procesi i integrimit europian të Shqipërisë është një objektiv strategjik kombëtar që kërkon një dialog politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës, me kontributin e të gjitha forcave politike dhe sektorëve të shoqërisë.

“BE do të ndjekë nga afër procesin deri në certifikimin përfundimtar të rezultateve”, thuhet në përmbyllje, duke i kujtuar palëve përgjegjësinë për funksionimin e pandërprerë të institucioneve shtetërore.

Artikulli i mëparshëmGjykata e Tiranës Dënon Dan Hutrën me Burgim të Përjetshëm
Artikulli i radhësBllokimi i Rrugëve dhe Masat e Sigurisë për 15 dhe 16 Maj Me Rastin e Samitit Të Komunitetit Politik Europian