Costa Flet Si Rama: Zgjedhjet Treguan Dëshirën e Shqiptarëve për BE-në

0

Presidenti i Këshillit të Evropës, Antonio Costa, zhvilloi një konferencë për shtyp me Kryeministrin Edi Rama në Tiranë, ku vlerësoi rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit si një sinjal të qartë të vullnetit të shqiptarëve për t’u integruar në Bashkimin Evropian.

Gjatë fjalës së tij, Costa theksoi se Shqipëria është mishërimi i procesit të zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor dhe se vendi po ecën në drejtimin e duhur drejt anëtarësimit.

“Rezultatet e zgjedhjeve treguan qartë dëshirën e shqiptarëve për Bashkimin Evropian. Ju përgëzoj për fitoren mbresëlënëse. Anëtarësimi është investimi ynë i përbashkët”, tha ai.

Costa shtoi se dy çështjet kyçe për Shqipërinë në këtë proces janë lufta kundër korrupsionit dhe sundimi i ligjit. Ai vlerësoi zhvillimet e fundit në marrëdhëniet Shqipëri-BE si një përparim të ndjeshëm në përafrimin politik dhe institucional.

“Qëndrojmë së bashku në arenën ndërkombëtare. Dialogu i fundit në nivele të larta mes BE-së dhe Shqipërisë është dëshmi e kësaj afrie,” deklaroi ai.

Presidenti i Këshillit Evropian përmendi gjithashtu Samitin e Komunitetit Politik Europian që do të mbahet këtë javë në Tiranë, si një moment historik për rajonin dhe një simbol të rëndësisë që BE i jep Shqipërisë.

Ai përshëndeti iniciativën e hapjes së Kolegjit të Evropës në Tiranë dhe shprehu keqardhje që nuk do të ketë mundësi ta vizitojë gjatë kësaj vizite.

Në fund, Costa u bëri thirrje institucioneve shqiptare që të mos humbasin fokusin: “Është momenti si në vitin ’92 për të bërë hapin tjetër të madh. Ju e dini çfarë duhet bërë, mbajeni drejtimin.”

Deklaratat e tij vijnë në një kontekst ku mazhoranca në Shqipëri ka fituar shumicën absolute në Kuvend dhe e ka përdorur këtë rezultat si një formë legjitimimi për vijimin e kursit pro-evropian.

Artikulli i mëparshëmKuvendi Që Pritet Të Dalë Nga Zgjedhjet e 11 Majit: Lista E Turpit Kombëtar
Artikulli i radhësSkandal Në Kashar: Çanta Me Euro Zbulohet Brenda KZAZ-së Mes Përplasjes Për Votat E Rakipit