
Një incident i rëndë ka ndodhur këtë mesditë në KZAZ nr. 30 në Kashar, ku tensionet mes përfaqësuesve politikë dhe administratës zgjedhore kanë kulmuar me dhunë dhe zbulime alarmante.
Sekretari i KZAZ-së është goditur me grusht nga një vëzhgues i kandidatit të PS, Ornaldo Rakipi, pas një debati mbi vlefshmërinë e një vote në të cilën ishin shënuar dy kandidatë, përfshirë edhe vetë Rakipin. Përfaqësuesit e tij kanë insistuar që vota t’i njihej pikërisht këtij të fundit, çka shkaktoi përplasje verbale dhe fizike.
Sipas Klodiana Lalës, dy persona janë shoqëruar nga policia, ndërsa në pamjet e publikuara nga Balkanëeb, shfaqet një çantë e zezë e mbushur me euro brenda një makine të pozicionuar brenda perimetrit të KZAZ-së. Kjo ka ngritur dyshime serioze për tentativa të blerjes së votave apo manipulim të rezultatit.
Ngjarja ka shkaktuar pezullimin e përkohshëm të numërimit të votave, ndërkohë që pritet një reagim zyrtar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe organet ligjzbatuese.
Zbulimi i një çante me para pranë një qendre numërimi është sinjal i qartë për klimën e dyshimtë që ka mbizotëruar gjatë këtij procesi zgjedhor, duke hedhur hije të forta mbi besueshmërinë e rezultatit përfundimtar në këtë zonë.