
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një takim të rëndësishëm në Bruksel me Stephen Harper, ish-Kryeministër i Kanadasë dhe aktualisht President i Unionit Demokrat Ndërkombëtar (IDU).
Në një deklaratë pas takimit, Berisha u shpreh se e ka informuar Harperin mbi gjendjen politike në Shqipëri dhe zgjedhjet e fundit, të cilat ai i ka cilësuar si një “masakër elektorale”. Në postimin e tij thuhet:
“Një takim i rëndësishëm me Presidentin e IDU, Z. Stephen Harper, në Bruksel, të cilin e njohëm me farsën e fundit zgjedhore në Shqipëri.”
Ky është një tjetër hap i Berishës për të ndërkombëtarizuar denoncimet ndaj procesit zgjedhor të 11 majit, për të cilin ai dhe përfaqësuesit e Partisë Demokratike pretendojnë se është manipuluar nga “narkoshteti”.
Takimi zhvillohet në vazhdën e pjesëmarrjes së tij në samitin e IDU-së në Bruksel, ku Berisha ka përsëritur akuzat për deformim të rezultatit zgjedhor dhe presione mbi votuesit dhe komisionerët.
Qëllimi i lëvizjes së Berishës është qartazi diplomatik, për të fituar mbështetje ndërkombëtare dhe për të sfiduar legjitimitetin e fitores së Partisë Socialiste dhe Edi Ramës në forume ndërkombëtare.