Përplasje Me Gazetarët – Policia Referon Në SPAK Edi Palokën Dhe Klevis Balliun

0

Policia ka referuar në SPAK materialet hetimore për deputetin e Partisë Demokratike Edi Paloka dhe ish-deputetin Klevis Balliu, pas incidentit të ndodhur gjatë protestës së opozitës më 16 maj në Tiranë.

Sipas njoftimit zyrtar, gazetarja B. D. ka kallëzuar në polici se gjatë protestës në Bulevardin e Ri është kanosur me fjalë për shkak të detyrës nga dy përfaqësuesit e opozitës. Kjo ka mjaftuar që policia të referojë materialet në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) për verifikim të mëtejshëm.

Ndërkohë, gazetarja më pas është tërhequr nga denoncimi, duke sqaruar se nuk ka pasur asnjë përplasje me Klevis Balliun, ndërsa përplasja me Palokën ka qenë verbale dhe e nxitur nga tensioni i momentit.

Nga pamjet dhe dëshmitë, Edi Paloka është parë duke debatuar me tone të ashpra me disa gazetarë, përfshirë një moment kur i drejtohet me fjalët:

“Mos bëj skema se… U bëtë ju! Kam qenë gazetar 20 vite para jush!”

Kjo deklaratë e nxiti turmën e protestuesve, të cilët më pas ofenduan dhe u përplasën verbalisht me përfaqësues të medias, duke krijuar një situatë të tensionuar.

Ngjarja ka ngjallur reagime të ndryshme, ku shoqatat e gazetarëve kanë shprehur shqetësim për sigurinë e raportuesve gjatë protestave politike, ndërsa opozita nuk ka bërë ende një reagim zyrtar.


Artikulli i mëparshëmBerisha Takon Stephen Harper Në Bruksel: Denoncohet “Masakra Elektorale” Në Shqipëri
Artikulli i radhësVotat E Diasporës – Përfundon Numërimi Në 12 Qarqe, PS Me Avantazh Dërrmues