
Goditja Ndaj Grupit Kriminal Shqiptaro-Italian Përfshin Zyrtarë, Avokatë Dhe Biznesmenë – Sekuestrohen Biznese, Pasuri Dhe Para Në Kesh
Prokurori i SPAK, Vladimir Mara, ka zbuluar detaje tronditëse nga operacioni i përbashkët Shqipëri-Itali kundër një grupi të fuqishëm kriminal të përfshirë në trafik droge, pastrim parash dhe korrupsion.
Në total, janë lëshuar 52 masa sigurie, nga të cilat 40 janë ekzekutuar në Shqipëri, përfshirë zyrtarë shtetërorë dhe një avokat. Mes pasurive të sekuestruara, për herë të parë hyn edhe një media televizive – “TV Kabllor Vlora Cable”, në emër të biznesmenit të njohur Nexhmedin Danaj.
Pasuritë e sekuestruara sipas SPAK përfshijnë:
- 3 restorante në Durrës
- 1 bar-kafe
- 6 shoqëri tregtare
- 1 televizion në Vlorë
- 3 milionë euro cash që dyshohet se rrjedhin nga aktiviteti kriminal
Sipas prokurorit Mara, veç aktivitetit të trafikut të lëndëve narkotike, janë dokumentuar edhe vepra korruptive, të kryera nga funksionarë publikë në bashkëpunim me grupin kriminal.
SPAK dhe Prokuroria vijojnë hetimet për të evidentuar rrjetin financiar dhe lidhjet institucionale të këtij grupi, ndërkohë që pasuritë do të kalojnë në administrim të shtetit, sipas vendimeve të GJKKO.