
Publikohen rezultatet e analizave për dhjetëra fëmijë të kopshtit nr.1 në Gramsh, pas shqetësimeve të ditëve të fundit për helmim ushqimor. Nga 70 mostra të analizuara, janë konfirmuar 4 raste me bakterin Salmonelë, duke rritur alarmin për shkelje serioze higjeno-sanitare në institucionin parashkollor.
Pista kryesore e hetimit drejtohet kundër kompanisë “Nelsa shpk”, e cila është përgjegjëse për shërbimin e kateringut në këtë kopsht. Autoritetet kanë bllokuar menjëherë produktet ushqimore të mbetura në kuzhinë dhe kanë marrë mostra të mishit të pulës, qumështit dhe vezëve.
Prindërit denoncojnë se simptomat te fëmijët nisën që të premten, ndërsa AKU ka ndërhyrë vetëm pas disa ditësh. Njëri prej prindërve deklaron se është lajmëruar nga drejtuesit e institucionit për rastin me salmonelë dhe paralajmëron protestë ditën e hënë kundër autoriteteve përgjegjëse.
Ndërkohë, hetimet nga organet e drejtësisë janë në vijim dhe pritet të zbardhen përgjegjësit për helmimin e fëmijëve në institucionin publik parashkollor në Gramsh.