
Të gjithë personat fizikë që për vitin tatimor 2024 kanë realizuar një fitim tatimor mbi 14 milionë lekë, nga 31 marsi 2025 do të paguajnë 23% tatim për shumën mbi 14 milionë lekë.
Kjo do të thotë se nëse një person fizik ka realizuar një fitim tatimor prej 20 milionë lekësh, ai do të paguajë 15% për fitimin deri në 14 milionë lekë dhe 23% për pjesën e mbetur prej 6 milionë lekësh. Kjo formë e re e llogaritjes rrit automatikisht tatimin që duhet të paguajnë individët me fitime të larta.
Më parë, për këto nivele fitimi, tatimi ishte 15% për të gjithë shumën, që do të thotë se në rastin e një fitimi 20 milionë lekë, tatimi ishte 3 milionë lekë (15%).
Me ndryshimin, tatimi për personat fizikë me fitime mbi 14 milionë lekë barazohet me atë të shoqërive me përgjegjësi të kufizuar (sh.p.k) dhe shoqërive anonime (sh.a), të cilat paguajnë 15% tatim fitimi dhe më pas 8% për pjesën e shpërndarë si dividend. Megjithatë, ndryshe nga këto të fundit, personat fizikë nuk kanë mundësi të menaxhojnë shpërndarjen e dividendit, ndaj detyrohen të paguajnë 23% për fitimin mbi kufirin 14 milionë lekë.
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, në rang kombëtar janë më pak se 400 tatimpagues persona fizikë që realizojnë fitim neto mbi këtë kufi dhe do të preken nga skema e re tatimore. Këtyre u është dërguar një mesazh i personalizuar nga administrata tatimore, i cili thekson përputhjen me nenin 24, pika 2, të Ligjit nr. 29/2023 “Për tatimin mbi të ardhurat”.
Ky ndryshim sjell një sistem tatimi progresiv për fitimin neto të individëve me fitime të larta dhe zbatohet për deklarimet e vitit 2024. Tatimi do të paguhet nga muaji mars 2025.
Si Llogaritet Tatimi?
Tatimi i ri nuk aplikohet mbi të ardhurat bruto, por mbi fitimin neto, që llogaritet si:
Fitimi neto = Të ardhura totale – Shpenzime të lejuara
Shembull:
- Nëse një person ka 14,000,001 lekë të ardhura dhe 1 lekë shpenzim, fitimi është 14,000,000 lekë → tatohet me 15%.
- Vetëm kur fitimi kalon 14 milionë lekë, zbatohet norma 23% për shumën shtesë.
Personat fizikë me të ardhura vjetore (xhiro apo shitje) deri në 14 milionë lekë përfitojnë përjashtim nga tatimi mbi fitimin deri në vitin 2029.
Shembull Llogaritjeje Për Fitimin Mbi 14 Milionë Lekë
Sipas Udhëzimit Nr. 26, datë 8.9.2023, të ndryshuar me Udhëzimin Nr. 4, datë 4.2.2025, pika 24 parashikon:
- 15% për të ardhurat neto të tatueshme deri në 14.000.000 lekë
- 23% për çdo lekë mbi këtë shumë
Shembull 1:
- Fitimi vjetor: 12.000.000 lekë
- Tatimi: 12.000.000 x 15% = 1.800.000 lekë
Shembull 2:
- Fitimi vjetor: 20.000.000 lekë
- Tatimi:
14.000.000 x 15% = 2.100.000 lekë
6.000.000 x 23% = 1.380.000 lekë
Totali: 3.480.000 lekë
Më parë, ky biznes paguante 3.000.000 lekë (15% x 20 milionë), që do të thotë se me skemën e re paguan 480 mijë lekë më shumë, një rritje prej 1.6%.