Gjykata Kushtetuese Rrëzon PD Për Mandatin E Deputetit Socialist Vullnet Sinaj

0

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar përfundimisht kërkesën e Partisë Demokratike për shpalljen si të papajtueshëm të mandatit të deputetit të Partisë Socialiste, Vullnet Sinaj, duke i dhënë kështu mbështetje pozicionit të shumicës në Kuvendin e Shqipërisë.

PD dhe Partia e Lirisë e kishin paditur Kuvendin për mosdërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit për verifikimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit Vullnet Sinaj, pas pretendimeve se ai ka përfituar 36 mijë euro nga fondet publike përmes bizneseve të tij, duke shkelur kështu nenin kushtetues mbi konfliktin e interesit të deputetëve.

Kërkesa e opozitës, e depozituar më 5 mars 2025 dhe e firmosur nga 14 deputetë të opozitës, përfshirë edhe Erisa Xhixhon nga Partia e Lirisë, kërkonte që Kuvendi të detyrohej të çonte çështjen për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

Por Gjykata Kushtetuese vendosi të mos e pranojë këtë kërkesë, duke e cilësuar të pamjaftueshme dhe në mungesë të argumenteve ligjore të plotësuara, dhe rrëzoi pretendimin për konflikt interesi që do të çonte në humbjen e mandatit për deputetin Sinaj.

Ky vendim i jep fund përkohësisht përpjekjeve të opozitës për të kontestuar mandatin e deputetit socialist, megjithatë ai hap një precedent politik mbi kufizimet reale që ka opozita në kontrollin e pastërtisë së figurës së përfaqësuesve në Kuvend.


Artikulli i mëparshëmPas Mishit Të Pulës, Skandal I Ri: Fileto Derri Me Salmonelë Në Treg – AKU Hesht, “Frigo ALBA” Nuk E Asgjësoi!
Artikulli i radhësKPA Shkarkon Nga Detyra Gjyqtaren Ardiana Bera Për Probleme Me Pasurinë