Austria Ndalon Martesat Mes Kushërinjve Dhe Të Miturve – Ligji I Ri Hyn Në Fuqi Në Gusht

0

Vjenë – Qeveria austriake miraton një reformë të rëndësishme ligjore për mbrojtjen e të miturve dhe rregullimin e të drejtës familjare.

Qeveria federale e Austriës ka miratuar një projektligj të ri, i cili parashikon ndalimin e martesave për personat nën moshën 18 vjeç dhe martesave mes të afërmve deri në shkallën e katërt, përfshirë kushërinjtë.

Ministrja e Drejtësisë, Anna Sporrer (SPÖ), e prezantoi projektligjin në mbledhjen e kabinetit, duke njoftuar se ai do të miratohet nga Këshilli Kombëtar përpara pushimeve verore dhe do të hyjë në fuqi në gusht 2025. Sipas saj, në të ardhmen, vetëm ata që kanë mbushur 18 vjeç do të mund të martohen ose të regjistrojnë partneritete civile.

Ligji aktual në Austri lejonte martesat për të miturit mbi 16 vjeç, me miratim të gjykatës dhe kujdestarit ligjor. Ky mekanizëm ligjor, që shpesh zbatohej pa verifikime të thelluara mbi pjekurinë e të miturve, ka qenë subjekt debatesh të gjera për rrezikun e martesave të fëmijëve.

Ministrja e Familjes, Claudia Plakolm (ÖVP), vlerësoi iniciativën si “një hap vendimtar kundër martesave të fëmijëve”. Yannick Shetty, nga partia NEOS, gjithashtu e përkrahu projektligjin, duke theksuar se edhe pse numri i rasteve është i vogël, rëndësia sociale është e madhe. “Një vajzë 16-vjeçare duhet të jetë në shkollë, jo në zyrën e gjendjes civile,” deklaroi ai.

Sipas statistikave zyrtare austriake, numri i martesave me partnerë nën 18 vjeç ka rënë ndjeshëm nga rreth 50 raste në vitin 2015, në vetëm 6 raste në vitin 2024.

Ligji i ri gjithashtu parashikon që Prokuroria të ketë të drejtën e anulimit të martesave apo partneriteteve të regjistruara në rastet kur njëri nga partnerët nuk ka pasur aftësinë ligjore për të lidhur martesë.

Kjo nismë shënon finalizimin e një përpjekjeje të hershme të qeverisë ÖVP-Të Gjelbrit, e cila kishte propozuar një draft të ngjashëm që nuk arriti të miratohej më parë. Me një konsensus të gjerë politik, projektligji pritet të zbatohet pa pengesa në muajt në vijim.

Artikulli i mëparshëmI Shiti Kokainë Një Të Miture – Arrest Me Burg Për Të Dyshuarin O.L
Artikulli i radhësKontrabandë Me Ilaçe Në Fier: Arrestohen Katër Administratorë Farmacie, Sekuestrohen Barnat Pa Pullë Fiskale