Pallati i sportit “Asllan Rusi” do të kthehet në kullë, qeveria autorizon projektin me privatin

0

Qeveria shqiptare ka vendosur të ndryshojë fatin e një prej objekteve më emblematike sportive në Tiranë. Me një vendim të miratuar këtë të mërkurë, Këshilli i Ministrave ka dhënë autorizimin për “rijetëzimin e pallatit të lojërave me dorë ‘Asllan Rusi’”, përmes një partneriteti publik-privat që do të menaxhohet nga Korporata e Investimeve Shqiptare (KISH).

Kjo nismë parashikon që pallati i sportit të ndërtohet nga e para në bashkëpunim me subjekt privat, përmes një procesi të hapur konkurrues, ku objekti do të përfshijë edhe një kullë shumëkatëshe, duke ndjekur të njëjtin model që u aplikua më herët për stadiumin “Air Albania”.

Zona e përzgjedhur, një ndër më të lakmuarat në Tiranë, ngre dyshime për një tjetër rast ku interesat private do të dominojnë mbi funksionin publik sportiv të objektit.

Sipas vendimit të qeverisë, Korporata e Investimeve Shqiptare autorizohet të zhvillojë pronën me nr.3/257, në zonën kadastrale 8210, nëpërmjet instrumenteve të sipërmarrjes, të qirasë apo të formave të tjera ligjore. KISH do të veprojë si zhvillues ose nëpërmjet një entiteti të krijuar prej saj.

Gjithashtu, i jepet e drejta për të negociuar me subjekte private për kontratën përfundimtare dhe për të prishur objektin ekzistues, në përputhje me planin e ri zhvillimor.

Në vendim përfshihen edhe detyrime për institucionet përkatëse si Agjencia e Planifikimit të Territorit, Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit, që të bashkëpunojnë për zbatimin e projektit.

Kritikët kanë ngritur shqetësime se ky është një tjetër rast ku infrastruktura sportive zëvendësohet nga kulla luksoze, duke e kthyer edhe sportin në një çështje ndërtimi.


Artikulli i mëparshëmShpërthim i fuqishëm në burgun e Fushë-Krujës, dyshime për tritol jashtë perimetrit
Artikulli i radhësElon Musk Shkund Administratën Trump Me Dorëheqje Të Papritur: Nuk I Tha As Lamtumirë Presidentit