
Rasti i rëndë i helmimit të mbi 70 fëmijëve në kopshtin shtetëror të Gramshit, i raportuar më herët nga Aktualitet.al, merr zhvillime të reja: analizat zyrtare kanë konfirmuar se kontaminimi ka ardhur nga vezët.
Sipas Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), vezët e përdorura në përgatitjen e ushqimeve rezultuan të kontaminuara me salmonelë, ndërkohë që mishi i pulës dhe qumështi dolën negativë në analizat laboratorike.
Ky informacion vjen pas hetimeve të thelluara që pasuan shpërthimin e simptomave të njëjta mes fëmijëve, që çuan në dyshime të menjëhershme për helmim ushqimor. Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) analizoi 79 persona të lidhur me kopshtin nr. 1, nga të cilët 17 rezultuan pozitivë me salmonelë – përfshirë 16 fëmijë dhe një psikologe.
Pezullim dhe Hetim Penal
Aktualisht, AKU ka urdhëruar pezullimin e përkohshëm të aktivitetit të kopshtit, në pritje të dezinfektimit të plotë dhe përfundimit të hetimit. Ndërkohë, Prokuroria e Elbasanit ka hapur një çështje penale për të përcaktuar përgjegjësit.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik dhe ka rikthyer në vëmendje nevojën për kontroll rigoroz të produkteve ushqimore në institucionet publike për fëmijë.