
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani, po zhvillon një vizitë zyrtare në Athinë, ku është pritur me një përqafim të ngrohtë nga homologu grek Jorgos Jerapetritis.
Pas ceremonisë zyrtare, dy ministrat zhvilluan një takim kokë më kokë që zgjati mbi një orë. Bisedimet u përqendruan në rritjen e bashkëpunimit bilateral, me theks të veçantë tek integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian, çështje për të cilën Greqia ka shprehur mbështetje të vazhdueshme.
Një tjetër pikë thelbësore e diskutimeve ishte pozita e emigrantëve shqiptarë në Greqi, të cilët sipas dy ministrave përbëjnë një urë lidhëse të rëndësishme mes dy vendeve. Ata vlerësuan nivelin e integrimit të shqiptarëve në shoqërinë greke, duke e cilësuar këtë si një shembull suksesi rajonal.
Në deklaratat për shtyp, ministrat theksuan rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, përfshirë trajektoren drejt anëtarësimit në BE, sigurinë, zhvillimin ekonomik dhe trajtimin e minoriteteve etnike.
Më pas, delegacionet e dy ministrive morën pjesë në një drekë të zgjeruar pune, ku vijuan diskutimet për temat e mbetura të hapura në marrëdhëniet dypalëshe.
Vizita vjen në një moment kritik për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë, ndërkohë që Tirana ka hyrë në fazën aktive të negociatave të anëtarësimit me BE-në, dhe pritet që Athina të luajë një rol kyç diplomatik në këtë proces.