Kompania Që Helmoi Fëmijët Në Gramsh Fiton Tender 700 Milionë Lekë Për Ushqimin Në Kopshtet E Tiranës

0

Nelsa Sh.p.k, e lidhur me arrestime për korrupsion dhe helmime në çerdhe, shpërblehet nga shteti me kontrata të reja publike. Drejtësia hesht, qeveria mbron skandalin.


Një kompani që duhet të ishte nën hetim penal, po furnizohet me miliona euro nga taksat publike. Bëhet fjalë për firmën “Nelsa Sh.p.k”, e cila pas helmimit të 70 fëmijëve në një kopsht shtetëror në Gramsh, nuk është ndëshkuar, por përkundrazi është shpërblyer nga qeveria me një kontratë të re në vlerën 700 milionë lekë, për furnizimin me ushqime të kopshteve dhe çerdheve të Tiranës.

Ky vendim skandaloz, i dokumentuar në Buletinin e Prokurimeve të datës 2 qershor 2025, hedh dritë mbi një sistem të kalbur të klientelizmit politik, ku jeta e fëmijëve vlen më pak se një tender.

Lidhje të errëta mes bashkisë, prokurorisë dhe kompanisë

Burime nga Elbasani konfirmojnë se kryetari i Bashkisë së Gramshit, Besjon Ajazi, është vëllai i prokurorit të Prokurorisë së Elbasanit, Kreshnik Ajazi. Ky raport familjar ka shërbyer si mburojë për të shmangur çdo ndjekje penale ndaj firmës, pavarësisht faktit që helmimi në Gramsh përfshiu fëmijë të moshave 3 deri në 6 vjeç.

Prokuroria vendore nuk ka marrë asnjë masë, ndërsa Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, në vend që të bllokonte aktivitetin e kompanisë, u urdhërua nga lart që të deklaronte se ushqimi ishte “brenda standardeve”.

E shkuara kriminale e pronarit

“Nelsa Sh.p.k” drejtohet de jure nga Elsa Kamberi (Balla), por pronari real është Nexhmi Balla, një person me të kaluar penale për mashtrim dhe afera me tenderë ushqimorë për burgjet. Ai e ka transferuar kompaninë në emër të vajzës për të shmangur konfliktin me ligjin, por vijon të kontrollojë biznesin dhe të fitojë miliona nga shteti.

Vetëm gjatë viteve të fundit, “Nelsa” ka përfituar mbi 220 tenderë për furnizime në institucione publike si çerdhe, kopshte, konvikte dhe spitale. Ky fakt dëshmon për një skemë të mirëorganizuar, ku kompania përfiton nga marrëdhëniet politike, ndërsa institucionet rrinë në heshtje.

Qeveria hesht, Rama mbulon skandalin

Në vend që të urdhërohej një hetim i thelluar, qeveria e Edi Ramës e ka kaluar ngjarjen në heshtje kriminale. As ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu, as ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu, dhe asnjë drejtues tjetër shtetëror nuk ka marrë përgjegjësi apo ka dhënë sqarime publike. Përkundrazi, kompania u shpërblye sërish, si të kishte shpëtuar e jo rrezikuar jetë fëmijësh.

Ky është modeli i një pushteti që përdor sistemin publik si një mekanizëm favorizimi për klientelën, pa asnjë ndjeshmëri ndaj sigurisë ushqimore, pa asnjë ndjenjë përgjegjësie për jetën e fëmijëve.

Pyetjet që kërkojnë përgjigje

  • Pse nuk është ndërprerë kontrata me “Nelsa Sh.p.k” pas helmimit të fëmijëve?
  • Pse nuk ka nisur një hetim penal për këtë rast, kur pasojat ishin të rënda dhe të dokumentuara?
  • Pse AKU, në vend që të kryente bllokimin e produktit, e justifikoi publikisht kompaninë?
  • Pse qeveria vazhdon t’i japë tenderë një firme që është dënuar për korrupsion dhe mashtrim?

Çfarë ndodhi në Gramsh?
Rreth 70 fëmijë u helmuan në një kopsht publik, ku u shërbyen ushqime nga kompania “Nelsa”. Analizat treguan prani të salmonelës në vezë.

A është marrë ndonjë masë ndaj kompanisë?
Jo. Përkundrazi, kompania ka fituar një tender të ri 700 milionë lekë vetëm pak javë më pas.

Kush është pronari i “Nelsa Sh.p.k”?
Nexhmi Balla, një ish-i dënuar për afera me tenderë, e ka kaluar kompaninë në emër të vajzës për të ruajtur kontrollin.

Kush e mbron kompaninë?
Kryebashkiaku i Gramshit është vëllai i prokurorit të Elbasanit. Qeveria Rama dhe institucionet qëndrore po heshtin.

Cila është rreziku për publikun?
Ky është një model i qartë i kapjes së shtetit dhe kompromentimit të sigurisë ushqimore, që rrezikon jetën e qytetarëve – veçanërisht të fëmijëve.


Tenderi i ri për “Nelsa Sh.p.k” është një provë tjetër e kalbëzimit të sistemit shtetëror shqiptar, ku lidhjet familjare, klientelizmi dhe korrupsioni marrin përparësi ndaj sigurisë së fëmijëve. Kjo nuk është vetëm papërgjegjshmëri – është krim me mbështetje zyrtare.


Artikulli i mëparshëmBardhi Godet Fort Në Kuvend: Krimi I Organizuar Mori Peng Zgjedhjet E 11 Majit
Artikulli i radhësSokol Sadushi: Gjyqtari Që “Shpiku” dhe Shmangu Vettingun – A Po Synon Kapjen e Kushtetueses