Bizneset Nga Kosova Po Pushtojnë Tregun Shqiptar: Lista Me Investimet Më Të Mëdha Në Shqipëri

0

Autori: Ersuin Shehu


Në muajin mars, kompania nga Kosova Viva Fresh njoftoi blerjen e rrjetit të dytë më të madh të supermarketeve në Shqipëri, Spar Albania. Ky transaksion ilustron praninë në rritje të bizneseve kosovare në tregun shqiptar, tendencë që duket qartë edhe nga shifrat e Investimeve të Huaja Direkte.

Në muajin mars, kompania që zotëron rrjetin më të madh të shitjeve me pakicë në Kosovë, Viva Fresh, njoftoi blerjen e Spar Albania, rrjeti i dytë më i madh i shitjeve me pakicë në Shqipëri.

Vlera e shitblerjes nuk është bërë publike, por me shumë mundësi, shitja e Spar do të jetë investimi më i madh deri tani i një biznesi nga Kosova në Shqipëri.

Viva Fresh do t’u shtohet disa sipërmarrjeve të tjera të rëndësishme që kanë hyrë në tregun shqiptar, duke balancuar ndjeshëm kahun e investimeve të ndërsjella mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Prej fillimit të viteve 2000, ishin kryesisht bizneset shqiptare që filluan të zgjeroheshin në tregun e Kosovës, duke shfrytëzuar potencialet që krijoi hapja e tregut pas shkëputjes faktike të Kosovës nga Serbia.

Me përjashtime të vogla, deri një dekadë më parë, investimet nga Kosova në Shqipëri ishin të papërfillshme. Por, në vitet e fundit, gjendja ka ndryshuar. Forcimi dhe konsolidimi i sipërmarrjes së Kosovës po sjell një prani në rritje në tregun shqiptar.


Investitorët kryesorë nga Kosova në Shqipëri

Investitorët e rëndësishëm kryesisht janë të pranishëm në sektorin e tregtisë. DE Holding e Blerim Devollit është e pranishme me rrjetin e dyqaneve të produkteve shtëpiake, Commodita Home.

Pronari i Viva Fresh, Xhevdet Rexhepi, hyri në Shqipëri një vit më parë, me blerjen e kompanisë me shtrirje rajonale Studio Moderna (Top Shop), ndërsa së fundmi realizoi edhe blerjen më të rëndësishme, atë të Spar Albania.

Scandinavian Living Holding është e pranishme në Shqipëri nëpërmjet degës së saj Scandinavian Living, që zotëron të drejtën e franchise të markës daneze të produkteve shtëpiake, Jysk. Scandinavian Living Holding zotërohet nga biznesmeni nga Kosova, Fatmir Zymberi.

Bucaj International është kompania me kapital nga Kosova që zotëron franchise për Shqipërinë të markave Burger King dhe Pizza Hut. Bucaj International është në pronësi të kompanisë kosovare Balkan Foods, e zotëruar nga biznesmeni Xhevat Jusufi.

Investitor i rëndësishëm, me kontroll të tërthortë është edhe Mabco Constructions, kompania që kontrollon shoqërinë koncesionare të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës. Mabco Constructions zotërohet nga biznesmeni Behgjet Pacolli.

Edhe aksioneri i pakicës në konsorcium, 2A Group, është kompani ndërtimi nga Kosova, në pronësi të biznesmenit Valon Ademi.

Një nga grumbulluesit më të mëdhenj të produkteve bujqësore në Shqipëri, Top Fruits (ish-Doni Fruits) zotërohet në masën 50% nga biznesmeni nga Kosova Ejup Ahmeti, në partneritet me grupin shqiptar të biznesit, Gjonaj.


Investimet e Kosovës kanë arritur në 422 milionë euro

Investimet e Kosovës në Shqipëri po shfaqin një tendencë të qartë në rritje gjatë viteve të fundit.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se për vitin 2024, investimet arritën vlerën e 96 milionë eurove, me një rritje prej 32% krahasuar me një vit më parë.

Deri në vitin 2020, flukset e Investimeve Direkte nga Kosova ishin në shifra relativisht modeste.

Pas këtij viti, duket se ka një rritje të konsiderueshme, që është reflektuar qartë edhe në stokun total të investimeve direkte prej subjekteve me kapital nga shteti fqinjë.

Në fund të vitit 2024, stoku i investimeve raportohej në vlerën e 422 milionë eurove, në rritje me 37% krahasuar me vitin 2023.

Sipas Bankës së Shqipërisë, rritja në stokun e investimeve nuk vjen vetëm nga flukset e reja, por në të duhen llogaritur edhe ndryshimet nga kursi i këmbimit dhe ndryshimet e çmimit të aseteve.


Bizneset e Kosovës, 7.5% e ndërmarrjeve të huaja

Sipas të dhënave më të fundit nga INSTAT, në fund të vitit 2023, në Shqipëri rezultonin 519 ndërmarrje aktive me kapital nga Kosova, duke përfshirë edhe ato me kapital të përbashkët.

Numri i ndërmarrjeve me kapital nga shteti fqinjë është rritur me 13% krahasuar me një vit më parë dhe ka arritur nivelin më të lartë historik.

Në harkun e një dekade, pesha e ndërmarrjeve me kapital nga Kosova është rritur nga 5% në 7.5% të numrit total të bizneseve të huaja.

Shumica e tyre (415) janë të angazhuara në sektorin e shërbimeve, ndërsa 104 në prodhimin e mallrave.

  • 79% janë mikronjësi me më pak se 4 të punësuar.
  • 12% kanë 5–9 punonjës.
  • 7% kanë 10–49 punonjës.
  • Vetëm 9 ndërmarrje kanë më shumë se 50 punonjës.

Në vitin 2022, ndërmarrjet e Kosovës gjeneruan 5.9% të shitjeve totale të ndërmarrjeve të huaja në Shqipëri, ndërsa pesha në punësim ishte 5.1%.


Importet nga Kosova janë rritur me 163% në një dekadë

Të dhënat tregojnë se në vitin 2024, importet nga Kosova arritën në 15.8 miliardë lekë, me rritje 33% krahasuar me një vit më parë dhe 163% më shumë se një dekadë më parë.

Eksportet shqiptare drejt Kosovës në 2024 ranë në 36.9 miliardë lekë, 10% më pak se në 2023.
Megjithatë, krahasuar me një dekadë më parë, eksportet janë rritur me 97%.

Suficiti tregtar ishte 21.1 miliardë lekë, në rënie me 38% nga 2023, por 65% më i lartë se në vitin 2014.

Rritja e importeve nga Kosova lidhet edhe me faktin se Kosova përdor Euron, dhe forcimi i Lekut i bën importet më të leverdishme.


Tregtia dominohet nga karburantet, çeliku, çimentoja, pijet dhe fruta-perimet

Produktet ushqimore dhe pijet përbënin 35% të importeve nga Kosova në 2024, të ndjekura nga lëndët djegëse dhe energjia (26%) dhe materialet e ndërtimit e metalet (22%).

Produktet kryesore të importuara përfshijnë:

  • Naftën dhe nënproduktet e saj
  • Çelikun
  • Pijet (alkoolike dhe joalkoolike)
  • Kafshët e gjalla
  • Mobilierinë

Ndërsa eksportet nga Shqipëria përfshinin:

  • Çelik
  • Naftë
  • Çimento
  • Pije
  • Fruta e perime
  • Bojëra

Burimet: Banka e Shqipërisë, INSTAT /

Titulli origjinal/ Biznesi i Kosovës po “zbret” në Shqipëri./ monitor.al

Artikulli i mëparshëmDjokovic I Bashkohet Trajnerit: Nxjerr Blof Mediat Serbe Për Sfidën E Tiranës
Artikulli i radhësPërplasja Mes Anuela Ristanit Dhe “Piranjave” Zbulon Fytyrën E Vërtetë Të “Pusht”-etit