Ndotja Në Parkun E Vjosës: Derdhje Naftë Në Zemrën E Lumit Të Fundit Të Egër Në Evropë

0

Parku Kombëtar i Vjosës, krenaria natyrore e Shqipërisë dhe simboli i mbrojtjes mjedisore në kontinent, ndodhet sot përballë një skandali ekologjik me përmasa alarmante.

Pamje të publikuara nga organizata ndërkombëtare Blue Heart Rivers tregojnë sesi sasi të mëdha nafte dhe mbetjesh industriale janë derdhur në ujërat e lumit Vjosa, në afërsi të nënzonave të mbrojtura, duke vënë në rrezik jo vetëm habitatet natyrore dhe jetën e egër, por edhe marrjen e statusit të rezervatit të UNESCO-s.

Ulrich Eichelmann, drejtues i fushatës ‘Zemra Blu’, ka denoncuar publikisht ndotjen, duke e quajtur këtë një shkelje flagrante të standardeve të parkut kombëtar, që rrezikon seriozisht jo vetëm mjedisin, por edhe reputacionin ndërkombëtar të Shqipërisë si vendi i lumit të fundit të egër në Evropë.

“Vetëm pak litra naftë ndotin mijëra litra ujë, dhe ajo që rrjedh këtu është shumë më tepër”, shkruan Blue Heart Rivers në një deklaratë të fortë.

Sipas dëshmive vizuale, derdhjet vijnë nga impiantet e naftës dhe asfaltit, të cilat operojnë buzë zonave të mbrojtura. Ndërkohë që qeveria shqiptare para dy javësh promovonte Vjosën si destinacion të mbrojtur nga UNESCO, sot ajo përballet me akuza për neglizhencë, mungesë reagimi dhe lejim të ndotjes industriale.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, kishte njoftuar zyrtarisht se Vjosa do të përfshihet në listën e programeve “Njeriu dhe Biosfera” të UNESCO-s, por ndotja e fundit e vë këtë proces në rrezik serioz.

Në pamjet e publikuara duken qartë grumbuj të mëdhenj vaji dhe mbetjesh që rrjedhin drejt ujit të lumit, në një akt që është cilësuar si “turp kombëtar dhe ndërkombëtar” për Shqipërinë.

Thirrjet për ndërhyrje janë shtuar, ndërsa ambientalistët kërkojnë që impiantet të mbyllen menjëherë dhe të pastrohet zona e ndotur. Fakti që ndotja vjen nga strukturat shtetërore apo të licencuara nga shteti e përforcon akuzën se Vjosa po sakrifikohet për interesa të industrisë, në dëm të së ardhmes ekologjike të vendit.


Artikulli i mëparshëmLezhë Në Errësirë: Djegia E Transformatorit Lë Pa Energji Qindra Banorë