
Në kulmin e sezonit turistik, Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka shpallur një tender emergjent prej 77 milionë lekësh (rreth 770 mijë euro) për të rishtruar me asfalt një segment të autostradës Tiranë–Durrës, që sipas planit qeveritar, pritet të kthehet në kantier ndërtimi pas një viti.
Segmenti në fjalë është Vorë – Ura e Dajlanit, rreth 20 kilometra gjatësi. Tenderi i shpallur në gusht, në muajin më të ngarkuar të vitit për qarkullimin rrugor, nuk ka lidhje me zgjerimin afatgjatë të autostradës, por është një ndërhyrje e përkohshme vetëm për të shtresuar asfalt.
Ndërkohë, projekti për zgjerimin e autostradës, që nisi një vit më parë, ka përfunduar pjesën e parë prej 5 kilometrash nga ish-Shqiponja deri në Kashar, dhe pritet të mbyllet deri në dhjetor. Por, në vend që zgjerimi të vazhdojë sipas planit, ARRSH ka ndërruar strategji, duke ndërhyrë me punime provizore që do të zhduken pas një viti kur zona do të shndërrohet në kantier.
Përse të investohen para publike në një rrugë që do të prishet? Pse zgjidhet muaji gusht për këtë ndërhyrje, kur autostrada është e stërngarkuar dhe çdo punim do të shkaktojë kaos në trafik?
Ky veprim ka ngritur akuza të forta për abuzim me fondet publike, dhe është parë nga shumëkush si një show veror, për të krijuar idenë e punimeve intensive në infrastrukturë, por pa asnjë plan afatgjatë. Në skenarin më të keq, kjo ndërhyrje është një skemë klasike e shpenzimit të fondeve në mënyrë të pajustifikuar, e cila e vendos në qendër të vëmendjes ARRSH-në dhe Ministrinë e Infrastrukturës.
Në vend të një strategjie të qartë dhe investimi të qëndrueshëm, ky vendim rrezikon të kthehet në një simbol të keqmenaxhimit, ku qytetarët shqiptarë paguajnë dy herë: një herë për asfaltin që do hiqet, dhe një herë për projektin që do vijë pas tij.