Beleri Në Parlamentin Europian: “Edi Rama Është Një Lider Autokratik”

0

Në një seancë të posaçme në Parlamentin Europian, ku u miratua një rezolutë për Shqipërinë, eurodeputeti Fredi Beleri mbajti një fjalim të fortë kritik ndaj qeverisë shqiptare, duke e quajtur Edi Ramën “lider autokratik” dhe duke denoncuar situatën e të drejtave të njeriut, të minoriteteve dhe të procesit zgjedhor në vend.

Beleri tha se gjatë regjistrimit të popullsisë në vitin 2023, 8 nga 9 pakicat kombëtare dhe 3 komunitete fetare hodhën dyshime mbi metodologjinë dhe rezultatet. Sipas tij, vetëm 50% e pronave në Shqipëri janë rikthyer tek pronarët legjitimë, ndërsa në zonat me minoritetin grek kjo shifër zbret nën 20%.

Ai theksoi se ligji për vetëidentifikimin nuk zbatohet, ndërkohë që drejtësia shqiptare, sipas tij, është e dështuar për shkak të ndërhyrjeve politike. Në këtë kontekst, Beleri përmendi edhe deklaratën e ambasadorit të BE-së Silvio Gonzato, i cili pak orë më parë kishte denoncuar ndërhyrje nga ana e qeverisë në sistemin e drejtësisë.

Në fushën zgjedhore, Beleri u shpreh se raportet e OSBE-së dhe Parlamentit Europian flasin për presione ndaj votuesve, manipulime mediatike, ndërhyrje të krimit të organizuar dhe financime të dyshimta. Ai përmendi gjithashtu se, sipas Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, 4 miliardë euro qarkullojnë jashtë sistemit bankar, në një vend me PBB prej vetëm 27 miliardë euro.

Në përfundim, Beleri paralajmëroi se nëse kjo situatë vazhdon të neglizhohet nga institucionet europiane, atëherë do të rritet euroskepticizmi në Shqipëri:

“Mbështetja që i jepet sot qeverisë shqiptare nga disa aktorë ndërkombëtarë perceptohet si mbështetje për një lider autokratik, dhe jo për qytetarët shqiptarë. Kjo është gjëja e fundit që i duhet Shqipërisë dhe Evropës.”


Artikulli i mëparshëm770 Mijë Euro Për Asfalt Në Autostradën Tiranë – Durrës/ Pas Një Viti Do Ri – Prishet: Tenderi Veror Që Ngjan Si Abuzim
Artikulli i radhësShkarkime Masive Në Policinë E Shkodrës Pas Skandalit Me Ndërtimet Pa Leje Në Theth