
Raporti i fundit i Komisionit Europian për shtetin e së drejtës në Shqipëri nuk është thjesht një kritikë e butë diplomatike – është një shuplakë e qartë dhe e merituar ndaj një skeme të rrezikshme që po zhbën themelet e rendit kushtetues në vend. Në epiqendër të kësaj skeme qëndron Sokol Sadushi, kryetari i Gjykatës së Lartë, i cili, në vend që të garantojë ligjshmëri, është kthyer në promotor të një puçi institucional që synon të marrë nën kontroll Gjykatën Kushtetuese.
Komisioni Europian konstaton me shqetësim pasigurinë ligjore mbi mandatet e gjyqtarëve të Kushtetueses, duke e lidhur drejtpërdrejt me ndërhyrjet e institucioneve si Kuvendi dhe Gjykata e Lartë. Ajo që në gjuhën diplomatike quhet “pasiguri ligjore”, në realitet është një përpjekje brutale për të rrëmbyer mandate dhe për të spostuar gjyqtarë të padëshiruar, duke çuar kështu drejt kontrollit total të një institucioni që duhet të jetë i paprekshëm nga politika.
Sadushi nuk vepron i vetëm. Ai ka bashkërenduar me Elisa Spiropalin, e cila përdori Kuvendin për të shpallur në mënyrë të njëanshme një vakancë të pjesshme si vakancë të plotë, dhe me Presidentin Begaj, i cili, në vend që të qëndrojë si një balancë institucionale, u kthye në vegël për interpretim të porositur kushtetues, duke iu drejtuar vetë Gjykatës për të ndryshuar afatet e mandatit të një gjyqtareje që nuk ishte në fund të mandatit.
Rasti i Elsa Toskës është simptomatik: e emëruar në 2019 për nëntë vjet, ajo dha dorëheqjen papritur në 2024, në kulmin e shqyrtimit të çështjes Sky ECC. Asnjë hetim, asnjë analizë. Më pas, filloi loja me mandatet. Në të njëjtën linjë u vendos dhe Sonila Bejtja, mandati i së cilës, sipas Kushtetutës, zgjat deri më 2028. Por Sadushi kërkon ta largojë më herët, duke përdorur një interpretim absurd të skemës së rinovimit 3-vjeçar.
Kjo është një përplasje e drejtpërdrejtë me Kushtetutën. Ligji themeltar është i qartë: gjyqtarët që zëvendësojnë dikë me mandat të ndërprerë marrin mandatin e mbetur, jo një të ri. Ndërhyrja e Sadushit është shkelje flagrante e parimit të stabilitetit dhe pavarësisë së gjyqtarit kushtetues.
Nëse kjo skemë konsolidohet, Gjykata Kushtetuese nuk do të jetë më një gardiane e ligjit, por një noter i vullnetit të mazhorancës. Ky është një sinjal alarmi për të gjithë shoqërinë shqiptare, për opozitën dhe për ndërkombëtarët: kapja e gjyqësorit po ndodh para syve tanë, jo nëpërmjet dhunës, por përmes procedurave të manipuluara nga brenda.
Sadushi është bërë simboli i kësaj kthese të rrezikshme. Ai nuk është më një gjyqtar – është një funksionar politik i maskuar me shallin e drejtësisë, me lidhje të dokumentuara me arkitektët e Reformës në Drejtësi dhe eksponentë të mazhorancës. Nga një sistem që duhej të shëronte drejtësinë, po lind një sistem më i sëmurë dhe më i kontrolluar.
Është koha për t’i dhënë fund këtij mashtrimi. Nuk ka drejtësi pa gjyqtarë të pavarur. Dhe nuk ka demokraci pa Gjykatë Kushtetuese të pacënuar.