Tallja E Neomalësores Marjana Koçekut Me Thethin

0

Në një vend ku ndërtimet pa leje kanë lulëzuar nën vështrimin e heshtur të shtetit për vite me radhë, ndërhyrja brutale në Theth vjen papritur… por jo për të ndalur krimin urbanistik – për të dhënë një shfaqje. Në qendër të kësaj skene politike del një emër i ri, deputetja Marjana Koçeku, e cila më shumë se çdo reagim të ndjeshëm ndaj dhimbjes së komunitetit të saj, ofron një status festiv në rrjete sociale.

“U prek një plagë” – thotë ajo. Jo, zonjë deputete. Ju nuk e prekët. Ju nuk ishit aty kur banorët qanin mes gërmadhave të shtëpive që ndërtuan me kursimet e jetës. Ju nuk ishit aty kur policia dhe IMT-ja zbrisnin si skenografi force në zemër të Alpeve. Ju nuk ishit aty as kur këta njerëz u mashtruan para zgjedhjeve me premtime boshe për legalizime dhe zhvillim. Ju u bëtë deputete dhe keni zgjedhur të mos prekeni më.

Nëse dikush do kërkonte një shembull perfekt të asaj që quhet “kapërcim nga viktimë në përfitues”, ja ku është: nga pretekst i një fushate përfaqësuese, në propagandiste të estetikës socialiste. Fjala “identitet” e përdorur nga Koçeku në postim tingëllon si tallje, kur e thotë dikush që hesht përballë një aksioni shtetëror mes sezoni turistik, që sjell humbje ekonomike, traumë sociale dhe mosbesim qytetar.

Me gjuhë prej broshure institucionale, Koçeku justifikon shkatërrimin, por nuk jep asnjë propozim, asnjë datë legalizimi, asnjë afat për zgjidhje humane, asnjë ndjesë për mashtrimet elektorale. Ajo i quan “të domosdoshme” ndërhyrjet, por nuk thotë asnjë fjalë për ata që humbën gjithçka.

Në fund, ndoshta nuk ka rëndësi çfarë ndodh me komunitetin – për sa kohë “nuk preket ajo”.

Një qasje cynike, elitare, dhe e pashpirt, që mishëron krizën e vërtetë në përfaqësim: Deputetët që mendojnë se janë bërë perandorë sapo futen në listën e PS-së.

Dhe Thethi? Thethi mbetet i plagosur. Natyra dhe historia vërtet nuk falin – por votuesit ndonjëherë falin… derisa t’u rrëzosh shtëpinë.


Artikulli i mëparshëmSokol Sadushi Dhe Gjykata Kushtetuese: Një Tentativë E Koordinuar Për Kapjen e Drejtësisë
Artikulli i radhësBurri Oficer i BKH-së, Gruaja e Ftuar në Podcastin e Ramës: Zjarr Misterioz në Bujtinën “Villa Gjecaj” në Theth