
Në vazhdën e ultimatumit të dhënë nga kryeministri Edi Rama, të gjithë drejtorët që varen nga Bashkia e Durrësit kanë depozituar dorëheqjet pranë drejtorisë së burimeve njerëzore.
Ky zhvillim vjen si pjesë e procesit të vlerësimit të performancës, një praktikë që tashmë po shtrihet në disa bashki të vendit, me qëllim shkarkimin e drejtuesve joefektivë dhe vendosjen e njerëzve të “besuar” nga partia në funksione kyçe.
Pritet që gjatë muajit korrik, një komision i posaçëm, i përbërë nga deputetët e listës së mbyllur të PS-së dhe kryetarja Emiriana Sako, të analizojë rast pas rasti secilin prej drejtuesve për të vendosur nëse do të qëndrojnë apo jo në detyrë.
Ky veprim nuk është thjesht një akt simbolik i dorëheqjes kolektive, por pjesë e një strategjie më të gjerë të riformatimit të pushtetit lokal, ku besnikëria ndaj partisë duket se rëndon më shumë se sa rezultatet konkrete në terren.
Në mungesë të transparencës publike mbi kriteret e vlerësimit, lindin dyshime mbi selektivitetin dhe ndikimin politik në këtë proces, veçanërisht në një qytet si Durrësi, që ka qenë në fokus për skandale me tendera dhe menaxhim fondesh.