“Përplasja me Armë te Zyra e PSD në Ali Demi”: Në Qendër të Sherrit Emri i Noteres Sanja Telhallari

0

Një ngjarje e rëndë me përdorim armësh zjarri ka ndodhur më 29 prill 2025 në zonën e Ali Demit në Tiranë, përpara zyrës elektorale të Partisë Socialdemokrate (PSD). Ngjarja nisi si një përplasje fizike, por degradoi në përdorim të një arme automatike të llojit “Scorpions”, duke shkaktuar panik, thyerje xhamash dhe hetime intensive nga policia. Në qendër të incidentit ndodhen babë e bir, Arjan Talhellari dhe Lorenc Talhellari, si dhe emri i noteres Sanja Telhallari, motra e Lorencit.

Arrestime, lirime dhe masa sigurie

Menjëherë pas ngjarjes, Lorenc Talhellari u lirua, pasi ndaj tij nuk u provua asnjë vëpër penale, ndërsa babai i tij, Arjan Talhellari, ndodhet në arrest shtëpie, nën akuzat për “Kanosje me armë” dhe “Mbajtje pa leje të armëve dhe municionit”. Dyshimet lidhen me përdorimin e një arme të shkurtër, që deri më tani nuk është sekuestruar nga policia, pasi Arjan Talhellari nuk ka treguar vendndodhjen e saj.

Pavarësisht mungesës së armës, ngjarja është dokumentuar përmes pamjeve filmike të kamerave të zonës, ku Talhellari shihet duke vrapuar me armë në dorë. Për shkak të moshës së thyer (67 vjeç) dhe dorëzimit vullnetar në polici, prokuroria kërkoi masën më të butë të arrestit shtëpiak, kërkesë që u pranua nga gjyqtari Sokol Shehu.

Sherri i vjetër mes familjarësh dhe shoferëve

Gazetari Elton Qyno nga Ora News ka siguruar dosjen hetimore, e cila përjashton pistën e basteve sportive dhe shpjegon se konflikti kishte të bënte me inate personale mes Lorenc Talhellarit dhe Elgin Hoxhës. Ky i fundit ka qenë për disa muaj shoferi i noteres Sanja Telhallari, motra e Lorencit, por e ka lënë punën pas prishjes së marrëdhënieve personale me familjen.

Konflikti i parë nisi mes Lorencit dhe Flois Sula, një mik i Elgin Hoxhës. Elgini, në dëshminë e tij, tregoi se më 29 prill rreth orës 13:30 ishte ulur në një kafene pranë zyrës së PSD-së me Mariglen Dukën. Sipas tij, një Land Rover gri me targa AB092LV u ndal përballë lokalit dhe prej tij dolën tre persona. Në momentin që zbritën, ai dëgjoi fjalët:
“…ja ku janë rob q*rat, shkrepe o babë…”, fjalë që identifikohen si të thëna nga Lorenc Talhellari.

Sipas Elginit, Arjan Talhellari mbante në dorë një armë me trup të shkurtër dhe karikator të gjatë dhe e pozicionoi drejt tij dhe Mariglenit. Të dy u larguan me vrap dhe u fshehën pas pallateve, ndërkohë që dëgjuan zhurmën e thyerjes së xhamave. Kur u kthyen, panë që autorët ishin larguar, ndërsa xhamat e zyrës së PSD ishin copëtuar.

Mariglen Duka: Dëshmi dhe kërcënime të drejtpërdrejta

Edhe Mariglen Duka ka dëshmuar se Lorenc Talhellari kishte në dorë një shkop bejsbolli dhe shoqërohej nga një burrë 50–60 vjeç, që mbante një send që dukej si armë zjarri. Sipas tij, Lorenci i kishte dalë përpara dhe e kishte kërcënuar me fjalët:
“…ku ikën ata, se do iu q… robt”.

Në vijim, personi me armë e kishte pyetur:
“Çfarë ke me çunin tim?”, duke përforcuar lidhjen mes palëve dhe elementët e konfliktit familjar.

Roli i noteres Sanja Telhallari

Noterja Sanja Telhallari, në dëshminë e saj, konfirmon se ishte njoftuar nga ish-shoferi i saj Elgin Hoxha për përplasjen dhe për faktin që babai i saj kishte qenë i armatosur. Ajo pohon se kishte komunikuar me të dy, babain dhe vëllain, të cilët i kishin treguar për konfliktin, ndërsa kishte theksuar se Lorenci ishte dhunuar dhe nuk njihte personat e përfshirë.

Gjetjet e policisë

Policia, gjatë kontrollit të automjetit Land Rover AB092LV, gjeti brenda një fishek të kalibrit “PAR mm 93”, me kapsollë të goditur, si dhe një shkop bejsbolli, që përkon me objektin e përshkruar nga dëshmitarët.

Ngjarja, që fatmirësisht përfundoi pa viktima, mbetet një tjetër sinjal alarmi për rrezikun e armëve në duart e qytetarëve, për banalitetin e shkaqeve që degjenerojnë në dhunë, dhe për ndërlikimet e marrëdhënieve personale brenda strukturave politike dhe familjare, ku një emër si Sanja Telhallari, që i përket një profesioni me besim publik, përfshihet në mënyrë indirekte përmes lidhjeve të afërta./ Ora News – Elton Qyno

Artikulli i mëparshëmPensionet Shqipëri–Itali: Udhëzuesi I Plotë Për Përfitimin, Dokumentet, Kushtet Dhe Llogaritjen
Artikulli i radhës(VIDEO) Nga Rigoni Me Faturë Te Sazani I Falur: “Zeqinizimi” I Shtetit Nën Edi Ramën