
Adriatik Lapaj nuk ka duruar më. Pas ditësh heshtjeje të tensionuar, kreu i “Shqipëria Bëhet” ka shpërthyer publikisht ndaj njeriut me të cilin formoi koalicionin për zgjedhjet e 11 majit – Endri Shabanit. Dhe në qendër të gjithçkaje është mandati i vetëm i fituar në Tiranë.
Në vend që ky mandat të përfaqësojë një zë të pastër opozitar, është kthyer në mollë sherri mes dy figurave që para zgjedhjeve promovonin frymën e bashkimit qytetar. Sot, janë në grahmat e një konflikti që ngjan më shumë me një shfaqje primitive të pazareve të vjetra, ku nipi garanton dajën dhe ideali zë vendin e fundit në listë.
Lapaj nuk e përmend më me emër Shabanin si aleat. Përkundrazi, e quan pjesë të “kënetës” politike.
“Është angazhuar gjithë këneta si e si të mos shkoj unë në Kuvend. Po sa tmerr më keni?! O të mjerë, unë nuk pranoj shantazh e as shitem,” – shkruan ai në një status të shpërndarë me vrull në rrjetet sociale.
Ai shkon më tej dhe akuzon drejtpërdrejt Endri Shabanin dhe dajën e tij, Zeqir Kordhonin, se po i grabisin mandatin duke manipuluar listat dhe përdorur aleancën si mjet për vendosjen e familjarëve në politikë.
“Zeqiri dhe nipi i tij Endri Shabani, të cilëve u shtriva dorën, nuk do marrin asnjë mandat.”
Në vend të një alternative ndryshe, kjo përplasje ka ekspozuar më keq se kurrë hipokrizinë e politikës së re, ku pas emrit të rinisë e meritës fshihen marifetet më të vjetra të tranzicionit shqiptar – nepotizmi dhe pazari.
Lapaj nuk fshihet më pas eufemizmave. Ai shpall veten viktimë të një padrejtësie politike të orkestruar, ku të gjithë janë kundër tij – nga Rama, te Berisha, dhe tani edhe Shabani.
Cili është thelbi i konfliktit?
Lapaj pretendon se Endri Shabani, në vend që t’i qëndronte fjalës dhe parimeve të koalicionit, po punon që mandati i vetëm të shkojë tek daja i tij, Zeqir Kordhoni.
A është përjashtuar Lapaj nga marrja e mandatit?
Jo ende, por nëse KQZ pranon kërkesën e Kordhonit, ai rrezikon të mbetet jashtë Kuvendit, edhe pse ishte figura kryesore publike e koalicionit.
Si reagon Endri Shabani?
Në vend të një sqarimi serioz, Shabani ka përdorur tone ironike, duke deklaruar se “Zeqiri e ka ndihmuar Tikun të bëhet burrë”, duke nxitur më tej tensionin.
Çfarë do të ndodhë më tej?
Në mungesë të një marrëveshjeje të qartë dhe transparente, çështja mund të përfundojë në gjykatë ose të shkaktojë ndarje përfundimtare brenda “Shqipëria Bëhet”.