Shqiptarët Punojnë Shumë Dhe Fitojnë Pak

0

Të qenit i pasur nuk ka të bëjë vetëm me të ardhurat e larta. Çmimet ndryshojnë nga një vend në tjetrin dhe një pagë modeste mund të ketë më shumë vlerë atje ku kostoja e jetesës është më e ulët. Edhe orët e punës nuk janë të njëjta: në disa vende arrihen të ardhura të larta me më pak orë pune, duke lënë më shumë kohë për pushim dhe jetë personale. Revista “The Economist” renditi 178 vende duke u bazuar në tre tregues.

I pari është Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë sipas kursit të këmbimit të tregut. Ky është një tregues i thjeshtë dhe i përdorur gjerësisht, por nuk merr parasysh ndryshimet e çmimeve mes vendeve. Treguesi i dytë rregullon të ardhurat në raport me koston lokale të jetesës (PPP – barazia e fuqisë blerëse). Ky jep një pasqyrë më të saktë të standardit të jetesës, por nuk llogarit kohën e lirë. Treguesi i tretë kombinon çmimet lokale dhe orët e punës, duke ofruar një matës më të plotë të mirëqenies reale.

Në renditje përfshihet dhe Shqipëria e vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, përveç Kosovës. Me një të ardhur për frymë prej 10 mijë dollarësh, Shqipëria lë pas Bosnjë Hercegovinën (9 mijë USD) dhe Maqedoninë e Veriut (9.3 mijë USD), ndërsa Mali i Zi dhe Serbia kanë respektivisht 13 dhe 13.5 mijë USD. Shqipëria renditet e teta nga fundi në Europë për të ardhurat për frymë, duke lënë pas vetëm Azerbajxhanin, Moldavinë, Bjellorusinë, Armeninë, Bosnjën, Gjeorgjinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Por në treguesin e barazisë së fuqisë blerëse dhe në atë të të ardhurave për orë pune, Shqipëria qëndron edhe më poshtë. Kjo për shkak të çmimeve të shtrenjta dhe orarit të gjatë të punës. Në vitin 2024, të ardhurat e rregulluara për çmimet dhe orët e punës në Shqipëri ishin 26.4 mijë dollarë, nga 22 mijë USD në Bosnje. Në Maqedoni, kjo shifër është mbi 30 mijë USD, në Serbi 31.6 mijë dhe në Mal të Zi mbi 36 mijë USD.

Të dhënat tregojnë se shqiptarët punojnë më shumë, por shpërblehen më pak. Me një mesatare javore prej 43.7 orë pune (krahasuar me 36.1 orë në BE), Shqipëria ka një nga oraret më të gjata në Europë. Por, strukturat ekonomike dhe natyra e punës janë faktori kyç: shumica e vendeve të punës ndodhen në sektorë me vlerë të ulët të shtuar, si bujqësia informale, tregtia e vogël apo shërbimet jo-produktive.

Për krahasim, Zvicra dhe Irlanda gjenerojnë mbi 90 mijë USD për frymë në vit, të rregulluara për orë pune, ndërsa Gjermania, Austria dhe Suedia variojnë nga 70 deri në 80 mijë USD. Shqipëria, me vetëm 26 mijë, është shumë larg këtij standardi.

Mesazhi i raportit është i qartë: rritja e produktivitetit nuk vjen nga më shumë punë, por nga punë më efikase dhe më të mirëpaguar, në sektorë me teknologji më të avancuar dhe vlerë të shtuar më të lartë. Pa reforma strukturore në arsim, punësim dhe teknologji, Shqipëria rrezikon të mbetet një vend ku punohet shumë, por fitohet pak./ monitor.al

Artikulli i mëparshëmMakina E Një Të Kërkuari Shpërthen Me Tritol Në Mes Të Natës Në Sarandë
Artikulli i radhësLargohet Nga Drejtimi I QSUT-Së Donjeta Bali, Emërohet Mjeku Dhe Ish-Deputeti Florenc Spaho