
Kjo e mërkurë e korrikut është regjistruar si një nga ditët më të zeza të këtij viti përsa i përket aksidenteve rrugore në Shqipëri. Brenda vetëm 12 orëve, janë shënuar 5 viktima dhe 10 të plagosur, në disa ngjarje tragjike të ndodhura në pika të ndryshme të vendit.
Ngjarja më e rëndë ndodhi në Bulqizë, ku një makinë tip “Nisan” me tre persona që po ktheheshin nga puna në minierë, doli nga rruga dhe ra rreth 300 metra poshtë. Dy persona humbën jetën në vend, ndërsa i treti ndodhet në gjendje kritike në Spitalin e Traumës.
Një tragjedi tjetër u regjistrua në Qerekë të Krujës, ku një vajzë 4-vjeçare u godit nga makina që drejtohej nga babai i saj, brenda ambientit të biznesit familjar. Ajo u dërgua me urgjencë në spital, por nuk i mbijetoi plagëve.
Në Fishtë të Lezhës, një makinë që udhëtonte drejt Shkodrës u përplas me një trailer serb dhe përfundoi jashtë rruge. Një grua 60-vjeçare humbi jetën, ndërsa katër persona u plagosën.
Në Hotesh të Dibrës, një grua humbi jetën pranë banesës së saj pasi një drejtues mjeti humbi kontrollin gjatë manovrimit dhe e përplasi. Ndërhyrja mjekësore nuk arriti ta shpëtonte.
Në Dimal, dy automjete u përplasën në zonën e Parkut të Qytetit, duke lënë të plagosur dy fëmijë 8 dhe 12 vjeç, që për fat ndodhen jashtë rrezikut.
Po ashtu, në Dvoran të Korçës, një automjet doli nga rruga, duke goditur një këmbësore dhe u përmbys në kanal. Të plagosur mbetën çifti në mjet dhe këmbësorja, të cilët u dërguan në spital.