Dosja “Veliaj” Trondit PS-në: SPAK Merr Të Pandehur Klotilda Bushkën Për Pengim Të Drejtësisë

0

Ish-deputetja e Partisë Socialiste dhe ish-kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, është marrë e pandehur nga SPAK, me akuzën e pengimit të drejtësisë në hetimin ndaj Erion Veliajt.

Ajo akuzohet për përpjekje për të ndikuar në dëshminë e Ina Goxhajt, një punonjëse në kompanitë e Ajola Xoxës dhe ish-drejtoreshë e qendrës BYL-A, e cila ka pranuar në SPAK se ka lëshuar fatura fiktive për projekte të fituara nga bashkëshortja e Veliajt.

Sipas dëshmisë së Goxhajt, Ajola Xoxa dhe Klotilda Bushka e kanë takuar disa herë, i kanë marrë celularin, e kanë udhëzuar çfarë të deklaronte në SPAK dhe në një rast i kanë dhënë një telefon të ri (iPhone 12), duke e paralajmëruar të mos fliste për realitetin e BYL-A apo lidhjet me Ajolën. Ajo ka deklaruar se ka ndjerë presion të vazhdueshëm dhe frikësim nga të tre, përfshirë edhe avokatin e tyre.

Bushka i ka mohuar akuzat, duke pranuar lidhjen familjare me Ina Goxhajn dhe takimet me të, por ka këmbëngulur se e ka këshilluar që të thotë të vërtetën, duke i sugjeruar edhe marrjen e një avokati.

Por SPAK ka dokumentuar lëvizjet e të dyshuarve përmes kamerave të sigurisë, ka verifikuar ndërrimin e telefonit të Goxhajt dhe ka mbledhur prova të shumta për përpjekjen për të ndikuar te dëshmitarja.

Ndër të tjera, nga deklarimet rezulton se Bushka e ka këshilluar të mos përmendte emrin e Ajola Xoxës, të deklaronte gënjeshtra mbi projektin e financuar nga ambasada amerikane dhe të shmangte çdo element që lidhte BYL-A me familjen e Veliajt. Ajo e ka pyetur për një faturë të lëshuar nga bashkëshorti i saj, Altin Bushka, për një aktivitet të NATO-s në vitin 2022, duke shfaqur shqetësim për mënyrën se si ajo ishte përfshirë në ILDKPKI.

Në fund, sipas Ina Goxhajt, Bushka e ka porositur: “Mos fol në telefon për asgjë dhe për çdo gjë që të duhet, qoftë edhe për lekë, na thuaj.”


Artikulli i mëparshëmBusinessman Gentian Sula Appears Before SPAK, Expected to Be Formally Charged
Artikulli i radhës“Partia-shtet” / BIRN: Si e përdor Rama pushtetin politik mbi administratën vendore