
Në një vend ku burgjet funksionojnë si hane pa porta, ku eskortat hyjnë lirshëm për “takime speciale”, ku vrasjet me pagesë organizohen brenda qelive në sy të gardianëve, ku të burgosurit VIP pijnë verë, hanë aragosta dhe tymosin puro me smartphone në dorë, vjen propozimi më skandaloz i dekadës: lirimi me kusht i të dënuarve me burgim të përjetshëm.
Kjo ide u paraqit në mënyrë “të guximshme” nga Arben Rakipi, i cili prej më shumë se 30 vitesh është pjesë e kupolës së sistemit të drejtësisë dhe aktualisht në krye të hartimit të Kodit të ri Penal, gjatë prezantimit të projektligjit që do të hidhet për diskutim publik. Dhe si për ironi të fatit, ai ka besim se njerëzit ndryshojnë në burgje.
“Ne e propozuam këtë zgjidhje sepse kemi besim se njerëzit përmirësohen,” – u shpreh Rakipi, duke e quajtur “një eksperiencë të përditshme që ndodh gjithandej”.
Por çfarë përmirësimi pritet nga një sistem burgjesh ku gardianët bashkëpunojnë me bandat, ku krerët e grupeve kriminale urdhërojnë nga qelitë dhe mbajnë kontakte me botën e jashtme përmes rrjeteve sociale, ku ligji zbatohet në varësi të statusit social dhe emrit që ke jashtë?
Arben Rakipi, një figurë e sistemit të drejtësisë që ka lënë gjurmë jo për reformë, por për pazare, emërime të manipuluara dhe favorizime të hapura në Shkollën e Magjistraturës, vjen sot dhe kërkon që qytetarët të besojnë në “rrugëtimin e riedukimit” të personave që kanë vrarë, masakruar, rrëmbyer apo komanduar banda.
Në fakt, Rakipi mund të fillojë sqarimet e tij jo nga ligji, por nga kaosi që mbretëron në Shkollën e Magjistraturës, ku kopjimi, plagjiatura dhe blerja e tezave janë bërë normë, ku kandidatët e lidhur me pushtetin kalojnë testet me ndihmë të dorës së fshehtë.
Në vend që të ndreqet kontrolli mbi burgjet që janë kthyer në qendra komande për bandat, në vend që të hiqet telefoni nga duart e shefave të trafikut, dhe në vend që të ndalet prostitucioni i luksit brenda qelive, sistemi drejtësisë mendon të hapë portat për “të përjetshmit”.
Pyetja që shtrohet është: për kë është ky ligj? Për drejtësinë, apo për kriminelët me fuqi dhe para, që s’kanë kaluar asnjë ditë reale burgu?
Çfarë propozon Kodi i ri Penal?
Lirimin me kusht të të dënuarve me burgim të përjetshëm, bazuar në riedukim dhe sjellje të mirë.
Kush e ka propozuar?
Arben Rakipi, drejtues i grupit të ekspertëve dhe drejtor i Shkollës së Magjistraturës.
Si është gjendja reale në burgjet shqiptare?
Korrupsion galopant, kontakte me botën e jashtme, vrasje me pagesë, prostitucion, telefonë dhe luks për të burgosurit me para.
Pse ka dyshime për këtë nismë?
Sepse sistemi i drejtësisë është i kalbur dhe i manipuluar, dhe nuk garanton barazi ligjore e as riedukim real.
Cilat janë pasojat e mundshme?
Kriminelët më të rrezikshëm mund të rikthehen në shoqëri si “të riedukuar”, duke shtuar rrezikun për viktimat dhe sigurinë publike.