
Dosja hetimore ndaj Ajola Xoxës, bashkëshortes së kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ka zbuluar detaje tronditëse që mund të thellojnë problemet ligjore të çiftit. Dokumentet e siguruara nga SPAK, përmes dëshmisë së ish-financieres Adela Konadakçiu, tregojnë se për një periudhë prej gati 1 vit e gjysmë, janë kryer transaksione të dyshimta dhe qarkullime të mëdha parash përmes kurseve të artit pranë “Harabel”-it dhe Arts Lab, Ava Studio, në ambientet e Sky Tower.
“Prisja fatura sipas përshkrimit të Ajolës” – kjo është fraza kyçe që del në dëshminë e Adela Konadakçiut, e cila tashmë ka marrë statusin e bashkëpunëtores së drejtësisë. Ajo ka pohuar:
“Ajola më ka thënë të pres fatura sepse prindërit e fëmijëve i kishin dhënë parapagim për disa muaj, për kurse arti. Faturat ia kam dorëzuar Ajolës dhe paratë janë derdhur në llogarinë e ‘Harabel’-it. Mban mend se eurot zakonisht ishin prerje 500 euro.”
Konadakçiu shpjegon më tej se i njëjti proces është ndjekur edhe për Arts Lab, Ava Studio, me udhëzime të drejtpërdrejta nga Ajola Xoxa. “Unë kam prerë fatura sipas përshkrimit që më thoshte Ajola dhe pasi deklaroja faturat i depozitoja në llogaritë e këtyre shoqërive. Shumica e parave kanë qenë prerje 500 euro”, tregon ish-financierja në dëshminë e saj.
Qarkullimi i parave të dyshimta
Hetimi i SPAK ka dokumentuar se në dy subjektet e lidhura me Ajola Xoxën janë depozituar 102,203 euro cash, përfshirë:
- 50 kartëmonedha me prerje 500 euro,
- 1,406 kartëmonedha me prerje 50 euro.
Kontrollet e kryera në zyrat e Partners Law kanë konfirmuar qarkullimin e këtyre shumave të mëdha të parave në dorë, duke ngritur dyshime serioze mbi origjinën dhe legjitimitetin e tyre.
Një dosje që rëndon SPAK-un dhe Ajola Xoxën
Burime pranë hetuesve thonë se dosja hetimore e SPAK mbështetet në rrethana dhe prova që tregojnë për një sistem pagesash të strukturuara, të menaxhuara drejtpërdrejt nga Ajola Xoxa. Ky hetim ka potencialin të përfshijë jo vetëm aktivitetet e saj personale, por edhe të afërmit apo partnerët e biznesit të saj.
Me këtë dëshmi, rruga ligjore për Ajola Xoxën mund të bëhet gjithnjë e më e ngushtë. Ndërkohë që hetimet vazhdojnë, çështja e faturave dhe cash-it prej mbi 100 mijë eurosh mund të rezultojë një pikë kthese e madhe në procesin ndaj saj.