Veliaj Kërkon Shtyrjen e Afatit: “Përmbytje Dokumentare” që Shkel të Drejtën e Mbrojtjes

0

Avokatët e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i janë drejtuar SPAK me një kërkesë për zgjatjen e afatit të njohjes me provat deri më 24 shtator, për shkak të volumit të madh të materialeve hetimore që shoqërojnë dosjen ndaj tij.

Sipas avokatëve, afati 10-ditor i parashikuar nga Kodi i Procedurës Penale është i pamjaftueshëm për të lexuar dhe analizuar në mënyrë profesionale materialet mbi të cilat ngrihet akuza.

“Këto 10 ditë nuk mjaftojnë as për një lexim të thjeshtë, e jo më për përgatitje profesionale juridike,” argumentojnë ata.

Ata theksojnë se ky kufizim kohor shkel të drejtën për një proces të rregullt dhe mbrojtje efektive, siç e përcakton neni 6 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Situata, sipas mbrojtjes, rëndohet edhe më shumë nga fakti se jemi në fund të muajit korrik dhe gushti është periudhë pushimesh për shumë aktorë të drejtësisë, përfshirë gjykatat, prokuroritë dhe avokatët.

“Kjo ‘përmbytje dokumentare’ është një formë abuzimi strukturor me të drejtën e mbrojtjes,” thuhet në kërkesë, duke iu referuar rasteve të ngjashme të njohura nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut.

Avokatët e Veliajt kërkojnë që afati të zgjatet deri më 24 shtator, në përputhje me vendimin e prokurorisë për përfundimin e hetimeve më 24 korrik, duke theksuar se kjo nuk cenon interesin publik, por përkundrazi i shërben drejtësisë dhe barazisë së palëve.


Artikulli i mëparshëmHetimi Për Vdekjen E 52-Vjeçares Në Pogradec Merr Kthesë Dramatike: Dyshohet Për Vrasje Me Zjarrvënie
Artikulli i radhësArrestohet autori i dyshuar për vrasjen e 52-vjeçares në Pogradec – dyshohet për lidhje intime me viktimën