
Vetëm pak ditë përpara afatit të fundit për dorëzimin e pasqyrave financiare për vitin 2024, sistemi elektronik e-Albania, dhe Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB) kanë dështuar të garantojnë funksionimin normal të platformës ku depozitohen pasqyrat financiare të bizneseve.
Mijëra subjekte tregtare janë të rrezikuara të gjobiten padrejtësisht me 60 mijë lekë secili, për shkak të pamundësisë teknike për të përmbushur një detyrim ligjor që varet totalisht nga sistemi shtetëror.
E-Albania dhe QKB në kolaps: Platforma që duhej të ndihmonte, po pengon
Që prej javës së kaluar, bizneset nuk kanë mundur të ngarkojnë bilancet në sistem, për shkak të ndërprerjeve të shpeshta, mesazheve gabimi dhe bllokimeve në proces. Ndërsa platforma qeveritare e-Albania u promovua si mjet lehtësues për transparencë, në praktikë ajo është kthyer në një burim pasigurie dhe presioni për sektorin privat.
Problemet nuk janë sporadike, por të përsëritura dhe sistematike: që nga data 25 korrik, dhe deri në paraditen e së hënës së 28 korrikut, shumica e përdoruesve nuk kanë arritur të përfundojnë ngarkimin e dokumenteve për shkak të ngarkesës së platformës. Në vend që sistemi të përballojë fluksin, ai bie nga funksioni, duke lënë mijëra biznese në mëshirën e afatit ligjor.
Shoqata e Profesionistëve të Lirë: “Po ushtrohet presion i pajustifikueshëm”
Shoqata Aleanca e Profesionistëve të Lirë (APL) ngriti alarmin publik, duke deklaruar se platforma është jofunksionale dhe ka shkaktuar dëme reale tek kontabilistët, auditorët dhe bizneset.
“Platforma e-Albania është e integruar me sistemin qendror dhe ka pasur ndërprerje të herëpashershme teknike që e bëjnë procesin të pasigurt dhe të vështirë. Kjo ka krijuar një presion të panevojshëm dhe një klimë frike për penalitete që nuk varen nga përdoruesit,” – deklaron APL.
Shoqata kërkon shtyrje të menjëhershme të afatit ligjor deri në stabilizimin e plotë të platformës dhe garantimin e aksesit të pandërprerë për të gjitha subjektet.
Kush do të mbajë përgjegjësi për këtë dështim?
Pyetja që ngrihet me forcë është: kush do të mbajë përgjegjësi për penalitetet e padrejta ndaj mbi 20 mijë bizneseve? Nëse sistemi dështoi për faj të QKB-së dhe platformës e-Albania, nuk mundet që barra financiare dhe ligjore t’u kalojë bizneseve që kanë tentuar të përmbushin detyrimin.
Ndërkohë, QKB hesht, duke vijuar të kërkojë “respektimin e afatit ligjor deri më 31 korrik”, pa marrë asnjë përgjegjësi për kolapsin teknologjik që vetë administrata ka krijuar.
Çfarë duhet të dorëzojnë bizneset?
Pasqyrat financiare vjetore, raportin e ecurisë së veprimtarisë dhe raportin e auditimit (kur është i detyrueshëm).
Si bëhet dorëzimi?
Vetëm online, përmes portalit e-Albania.
Kur është afati i fundit?
Data 31 korrik 2025.
Çfarë ndodh nëse nuk dorëzohen në kohë?
Gjoba prej 60,000 lekësh për çdo subjekt tregtar.
Po kur platforma nuk punon?
Aktualisht, nuk ka asnjë vendim zyrtar për shtyrjen e afatit, ndonëse shumica e bizneseve raportojnë se sistemi është i pamundur për t’u përdorur në orare normale pune.
Në një shtet ku dixhitalizimi propagandohet si sukses, dështimi i e-Albania dhe QKB-së rrezikon të penalizojë padrejtësisht dhjetëra mijëra biznese, vetëm sepse sistemi nuk funksionon. Kjo nuk është thjesht çështje teknike, por abuzim me detyrimin ligjor dhe mungesë totale e përgjegjësisë administrative. Nëse nuk merren masa urgjente, kjo do të jetë një tjetër goditje për besimin në shtetin dhe administratën fiskale shqiptare.