Presidenti I Malit Të Zi Akuzon Zëvendëskryeministrin Gjeloshaj Për Kërcënime – Kërkon Shkarkim Të Menjëhershëm

0

Një përplasje e ashpër politike ka shpërthyer në Mal të Zi, pasi Presidenti Jakov Millatoviq ka kërkuar shkarkimin urgjent të zëvendëskryeministrit Nik Gjeloshaj, pas një sërë kërcënimesh dhe mesazhesh të ashpra që ky i fundit dyshohet t’i ketë dërguar kreut të shtetit.

Sipas një njoftimi zyrtar nga Zyra e Presidentit, Gjeloshaj reagoi ashpër menjëherë pasi Millatoviq ktheu në Kuvend për rishqyrtim Ligjin për tatimin mbi pasurinë e paluajtshme, duke e konsideruar atë me shkelje kushtetuese dhe të rrezikshëm për 22.000 fermerë që mund të humbnin lehtësimet tatimore.

Në mesazhet e publikuara në platformën X (dikur Twitter), Millatoviq ka thënë:

“Nuk do të dorëzohem përballë presioneve kur bëhet fjalë për Kushtetutën. Do të mbroj interesat e qytetarëve dhe të shtetit.”

Nga ana tjetër, Gjeloshaj, i cili më parë ka qenë kryetar i Komunës së Tuzit, e ka akuzuar presidentin për favorizim të kompanisë “Plantacionet e 13 Korrikut”, me të cilën Komuna ka pasur mospajtime dhe konteste shumëvjeçare mbi taksa të paligjshme të pronës bujqësore. Ai ka sugjeruar se Millatoviq ka vepruar për përfitime personale përmes lidhjeve me Nebojsha Vuksanoviqin, ish-drejtor i kompanisë.

Në një mesazh të zbuluar, Gjeloshaj shkruan:

“Nuk duhej të ishe futur në këtë punë dhe të prisje një reagim nga shqiptarët në të gjitha nivelet dhe kudo që kemi ndikim… Do ta marrësh përgjigjen që meriton.”

Kjo gjuhë është konsideruar kërcënuese nga presidenca, e cila ka kërkuar shkarkim të menjëhershëm, ndërsa çështja i është referuar Drejtorisë së Policisë.

Sipas njoftimeve, kompania “Plantacionet e 13 Korrikut” ka fituar të gjitha ankimet në Gjykatën Administrative dhe ka ngritur kallëzim penal kundër Gjeloshajt në Zyrën e Kryeprokurorit Special.

Kjo përplasje sinjalizon një krizë institucionale në qeverinë e Malit të Zi, me përplasje të hapura mes presidentit dhe zëvendëskryeministrit, në sfondin e tensioneve etnike dhe ekonomike që përfshijnë edhe përfaqësues të komunitetit shqiptar.


Artikulli i mëparshëmAmbasada Amerikane Jep Paralajmërim Për Vizat – Qëndrimi Jashtë Afatit Ndikon Negativisht Në Të Ardhmen Tuaj
Artikulli i radhësKrimi Makabër Në Fier – Detaje Të Reja Nga Seanca Gjyqësore Për Vrasjen E Anesti Ramës