
Të shtunën në mëngjes, rreth orës 07:00, një numër i konsiderueshëm efektivësh të Policisë së Shtetit hynë në ambientet e televizionit News 24, të vendosura në ish-Uzinën e Autotraktorëve në lagjen Shkozë të Tiranës, duke kërkuar largimin e gazetarëve dhe zbrazjen e godinës.
Sipas të dhënave të publikuara nga Panorama, e cila bën pjesë në të njëjtin grup mediatik, policia ka bllokuar hyrjen e gazetarëve në ndërtesë dhe ka kërkuar lirimin e ambienteve ku operojnë redaksitë e News 24, BalkanWeb, Panorama dhe Gazeta Shqiptare, me qëllim dorëzimin e tyre te kompania shtetërore KAYO. Po ashtu, është raportuar se energjia elektrike e televizionit është ndërprerë.
Në orën 07:36, sinjali i News 24 u ndërpre plotësisht.
KAYO është një kompani shtetërore e themeluar në vitin 2024, e specializuar në prodhimin dhe tregtimin e armëve. Në 12 mars 2025, qeveria miratoi një vendim që i kalon pronësinë e ish-Uzinës së Autotraktorëve kësaj kompanie. News 24 ka qenë qiramarrës afatgjatë në këtë godinë.
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) reagoi menjëherë përmes një deklarate në Facebook, duke e cilësuar veprimin si një shkelje flagrante të parimeve të demokracisë dhe lirisë së shprehjes, të garantuara nga Kushtetuta dhe aktet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
“Ndërhyrja e policisë, që pengon drejtpërdrejt punën e gazetarëve, është një akt i papranueshëm dhe përbën presion të hapur mbi median e lirë,” – theksoi AGSH, duke i bërë thirrje institucioneve shtetërore të ndërpresin menjëherë aksionin dhe t’u garantojnë gazetarëve qasje në vendin e punës.
BIRN raportoi se zëdhënësi i Policisë së Shtetit refuzoi të komentojë mbi operacionin për lirimin e ambienteve të News 24.
Ky zhvillim ka ndezur debat publik mbi gjendjen e lirisë së medias në Shqipëri, duke ngritur pikëpyetje serioze për standardet demokratike dhe mbrojtjen e pavarësisë editoriale në vend.