Fatos Lubonja Akuzon Ramën Për Sulm Banditesk Ndaj News 24 – ‘KAYO’ Po Merr Pronën Me VKM Të Paligjshme Për Të Ndërtuar Kulla

0

Analisti Fatos Lubonja ka reaguar ashpër pas rrethimit të godinës së News 24 nga forcat e Policisë së Shtetit, ndërprerjes së sinjalit dhe pengimit të hyrjes së gazetarëve në ambientet e punës. I ftuar në Syri TV, ai e cilësoi këtë si një sulm banditesk të drejtuar nga një “bandë me në krye Edi Ramën”, që sipas tij ka kaluar çdo kufi ligjor.

Lubonja kujtoi se një precedent i ngjashëm ishte mbyllja e dhunshme e televizionit Agon Channel, ku ai punonte vite më parë. Për atë ngjarje, qeveria shqiptare u dënua nga gjykata në SHBA me pagesën e qindra milionë dollarëve, por asnjë person nuk u ndëshkua dhe, siç theksoi ai, “veprimet e paligjshme po përsëriten”.

Sipas Lubonjës, Avokatura e Shtetit ka deklaruar se ndërhyrja lidhet me ekzekutimin e një vendimi të Gjykatës së Apelit Administrativ të datës 13 korrik 2025, por çështja është më e ndërlikuar. Ai theksoi se prona ku ndodhet News 24 është në pronësi të Bashkisë Tiranë, dhe vendimin për t’ia dhënë apo jo kompanisë KAYO duhet ta marrë këshilli bashkiak, jo qeveria. Në këtë rast, sipas tij, prona është transferuar me Vendim të Këshillit të Ministrave të firmosur nga kryeministri Rama, gjë që e cilësoi të paligjshme dhe në shkelje të kompetencave ligjore të pushtetit vendor.

Lubonja paralajmëroi se kontrata e KAYO-s, e cila prezantohet si kompani e prodhimit të armëve, i jep asaj të drejtën që pas marrjes së pronës të lejojë ndërtimin e kullave private në zonë. Ai e sheh këtë si pjesë të një skeme tipike klienteliste ku ligji thyhet për t’u favorizuar interesat e afërta me pushtetin.

“Ky është funksionimi tipik i Edi Ramës: thyerje e ligjeve, mbajtje e klientelave dhe eliminim i mediave që nuk i kontrollon. Sot është News 24, nesër mund të jetë çdo media tjetër që nuk i këndon himnin,” – u shpreh Lubonja.

Ai e përmbylli reagimin e tij duke theksuar se ky nuk është një rast i izoluar, por një strategji e qëllimshme për të vendosur kontroll autoritar mbi median në Shqipëri, duke përdorur si pretekst procedura gjyqësore dhe vendime qeveritare të kontestuara ligjërisht.

Artikulli i mëparshëmEdi Rama’s Siege on News 24 Shows Albania’s Descent Into a Stage-Managed Dictatorship
Artikulli i radhësHeroizmi I Inspektorit Të Ri Dhe Turpi I Kupolës Që E Përdor Për Propagandë