Përgjimet E SPAK – Ervis Çela Me Mbi 100 Milionë Euro Nga Kokaina, Franc Çopja: Mos I Gropos, Ktheji Në Ar

0

Një nga dosjet më të mëdha të SPAK, me 282 faqe, ka zbuluar prapaskenat e një organizate kriminale shqiptare të trafikut të kokainës, e drejtuar nga Franc Çopja dhe Ervis Çela, e cila dyshohet se ka qarkulluar mbi 100 milionë euro të përfituara nga ky aktivitet. Ky grup i fuqishëm kriminal, i cili diktonte çmimin e kokainës në Europë, transportonte sasi të mëdha parash cash nga Amerika Latine në Europë dhe më pas në Shqipëri.

Roli I Franc Çopjas Dhe Ervis Çelës
Sipas dosjes, Franc Çopja, i arrestuar më herët në Belgjikë, menaxhonte pritjen e lëndës narkotike dhe akumulimin e të ardhurave, ndërsa në Shqipëri paratë i administronte Ervis Çela. Komunikimet e zbërthyera nga Sky ECC, të siguruara falë bashkëpunimit të SPAK me Europol dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese europiane, zbulojnë mënyrat e fshehjes dhe investimit të fitimeve.

Në një bisedë të dhjetorit 2020, Ervis Çela i shkruante Franc Çopjas se do t’i groposnin eurot poshtë rrënjëve të 200 ullinjve që kishte në pronësi. Çopja e këshillonte t’i kthente në lingota ari, duke i paralajmëruar se paratë nën tokë do të shkatërroheshin.

Pjesë Nga Përgjimet

  • Ervis Çela: “Kam 200 ullinj në mal, duhet fut naj qyp atyre. Se ullijt rrojnë shumë.”
  • Franc Çopja: “Aahaha… ktheji flori. Mos fut lek në tokë. Më dëgjo mu…”
  • Ervis Çela: “S’ka flori… duhet me grabit naj bank… Duhet me porosit nga Afrika…”
  • Franc Çopja: “E di që s’ka… Po mblidhi avash-avash… Mos fut lek në tokë se të prishen.”

Shumat Marramendëse
Në një tjetër bisedë me vëllain e tij, Riza Çela, më 14 dhjetor 2020, Ervis Çela pohon se kanë akumuluar mbi 100 milionë euro. Ndërkohë, komunikimet me vëllain tjetër, Ardjan Çela, tregojnë për përgatitjen e “gropave” për fshehjen e parave, ku përmendet edhe dërgimi i 4–5 milionë eurove shtesë brenda javës.

Arrestimet
Në megaoperacionin e SPAK u arrestuan 10 persona, ndërsa 6 të tjerë u shpallën në kërkim. Mes tyre:

  • Ervis Çela – arrest në burg
  • Franc Çopja – arrestuar në Belgjikë
  • Albin (Defrim) Çela, Petrit Lakatos (Sulejmani), Renato Musaku, Gert Çerma, Marenglen Kamami, Elidon Çela – arrest në burg
  • Riza Çela – arrest shtëpie
  • Kujtim Gjyla dhe Ditjon Pepa – detyrim paraqitjeje, të dy shoferë autobusësh që transportonin paratë në Shqipëri.

SPAK e konsideron këtë rrjet si një nga strukturat më të sofistikuara të trafikut të drogës dhe pastrimit të parave në rajon, me investime të shumta të padeklaruara dhe lidhje ndërkombëtare.

Artikulli i mëparshëmTentoi Të Korruptonte Me 2 Mijë Lekë Policin E Rrugores – Arrestohet 18-Vjeçari Në Tiranë
Artikulli i radhësKthesa Politike Në Gjermani: AfD Përmbys CDU-Në Në Sondazhet Kombëtare