
Situata e zjarreve në jug të Shqipërisë ka hyrë në një fazë kritike. Delvina është e rrethuar nga flakët, të cilat kanë pushtuar kodrat përreth qytetit. Përpjekjet për neutralizim po bëhen nga toka dhe nga ajri, me dy helikopterë zjarrfikës, ndërkohë që energjia elektrike është ndërprerë.
Në lagjen Kasapaj, ku ndodhen depozitat e gazit, rreziku është maksimal. Banorët janë evakuuar nga policia, por flakët i afrohen sërish ndërtesave dhe infrastrukturës kritike. Edhe në Lefterhor, situata është dramatike: banesat dhe një kishë janë djegur.
Ministria e Mbrojtjes ka bërë thirrje urgjente për evakuimin e banorëve në Nartë, Skënderbegas (Gramsh) dhe Delvinë, për shkak të përhapjes së shpejtë të flakëve. Gjatë 24 orëve të fundit janë identifikuar 64 vatra zjarri, nga të cilat 24 janë ende aktive.
Mbi 10 mijë forca emergjence, të mbështetura nga Agjencia e Mbrojtjes Civile, zjarrfikës dhe vullnetarë, po punojnë pa ndërprerje. Situata është më problematike në Delvinë dhe Finiq, ku janë shënuar dëme në shtëpi, ullishte dhe bagëti; në Gramsh, ku ka humbur jetën një 80-vjeçar; dhe në Tepelenë, ku janë djegur stalla.
Shkaku i njërit prej zjarreve më të mëdhenj mendohet të jetë veprimi i pakujdesshëm i një të moshuari në fshatin Kullollas. Pasi ndezi zjarr në kopshtin e banesës, flakët dolën jashtë kontrollit dhe u përhapën në disa fshatra të Gramshit, duke shkaktuar një tragjedi me viktimë dhe të plagosur.
Përpjekjet nga ajri vazhdojnë, ndërsa mbi 80 zjarrfikës dhe 300 vullnetarë janë të angazhuar në terren. Gjashtë fshatra janë shkrumbuar plotësisht në Delvinë dhe rreziku vijon, sidomos në afërsi të Liqenit të Dushkut dhe zonave mbi Kodovjat e Postovish.