Arbër Veliaj paraqitet në SPAK, merret në pyetje si person në dijeni

0

Vëllai i kryebashkiakut të Tiranës, Arbër Veliaj, është paraqitur këtë mëngjes në ambientet e SPAK-ut, ku do të merret në pyetje nga prokurorët si person që ka dijeni në hetimet që po zhvillohen ndaj Erion Veliajt.

Ky zhvillim vjen vetëm tri javë pasi Gjykata e Posaçme e Apelit rrëzoi ankimimin e Arbër Veliajt, i cili kundërshtonte kontrollet e SPAK të kryera në dhjetor të vitit 2024 në banesën dhe bizneset e tij. Më herët, Gjykata e Lartë kishte pranuar rekursin e tij dhe e kishte kthyer çështjen për rigjykim, por Apeli vendosi të mos ndryshonte qëndrimin për vendimin e dhjetorit.

Ndërkohë, hetimet ndaj Erion Veliajt kanë marrë një tjetër kthesë të fortë më 23 korrik, kur ai u shpall zyrtarisht i pandehur për korrupsion, deklarim të rremë të pasurisë dhe pastrim parash. Në dosje janë përfshirë edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, si dhe gjashtë biznesmenë të lidhur me tendera dhe projekte të Bashkisë së Tiranës.

Prej 10 shkurtit të këtij viti, kryebashkiaku ndodhet në paraburgim, ndërsa hetimet e SPAK kanë zgjeruar rrethin e personave që mund të japin shpjegime mbi transaksione, pasuri dhe marrëdhënie të dyshuara të paligjshme.

SPAK pritet të vijojë marrjen në pyetje të dëshmitarëve dhe personave të lidhur me çështjen, në përpjekje për të ndërtuar një tablo të plotë të dosjes që ka tronditur politikën dhe pushtetin vendor në kryeqytet.


Artikulli i mëparshëmShembulli i pazakontë i një CEO-je: Shiti kompaninë për 1.6 miliardë dollarë, mbajti vetëm 100 milionë për vete
Artikulli i radhësBerisha zbulon skenarin e frikshëm: “Daniel Shima mund të kishte përfunduar si Ervis Martinaj”