
Një grabitje e pabesueshme, e denjë për skenarët e Hollivudit, ka shkundur Dubain dhe botën e gurëve të çmuar. Një diamant rozë unik, me vlerë marramendëse prej 25 milionë dollarësh, u grabit nga një bandë ndërkombëtare që përdori makina luksoze, vila private dhe një ekspert diamantesh për të ndërtuar mashtrimin perfekt.
Milionerë të rremë dhe plan i thurrur prej një viti
Autorët kishin ndjekur lëvizjet e gurit nga Evropa, duke ndërtuar me kujdes imazhin e “biznesmenëve të fuqishëm”. Me gjakftohtësi të frikshme, ata e bindën tregtarin e vërtetë ta sillte diamantin në një vilë luksoze, ku supozohej se do ta blinte një klient misterioz. Por sapo guri prej 21.25 karatësh me shkëlqim të jashtëzakonshëm doli nga kutia, ai u rrëmbye dhe u zhduk në duart e hajdutëve.
Policia e Dubait – reagim rrufe
Por ndryshe nga filmat, fundi nuk ishte në anën e kriminelëve. Policia e Dubait, e famshme për teknologjinë e avancuar dhe rrjetin e saj të sigurisë, veproi me shpejtësi të frikshme. Brenda pak orësh, tre anëtarë të bandës u identifikuan dhe u arrestuan, ndërsa diamanti u rikuperua përpara se të kontrabandohej jashtë Emirateve.
Rrëfimi i tregtarit të tronditur
Tregtari, ende në shok, rrëfeu momentin e pabesueshëm kur autoritetet e telefonuan:
“Mendova se gjithçka kishte marrë fund. Por ata më thanë: ‘Diamanti është gjetur, të dyshuarit janë në pranga.’ Ishte një mrekulli!”
Një paralajmërim për tregtinë e luksit
Ngjarja ka tronditur industrinë e diamanteve, duke e vendosur Dubain – tashmë qendër globale të tregtisë së gurëve të çmuar – në vëmendjen e mafies ndërkombëtare. Ekspertët paralajmërojnë: kjo grabitje e guximshme, edhe pse dështoi, është një sinjal alarmi se krimi i sofistikuar po rritet dhe po krijon skenarë gjithnjë e më të rrezikshëm për të vënë dorë mbi thesaret më të shtrenjtë të botës.