
Një rast i pazakontë mashtrimi është zbuluar në kryeqytet, ku një 29-vjeçar nga Tirana, i identifikuar si Emrah Sh., u shpall fajtor për mashtrimin e disa taksistëve dhe u dënua me 1 vit e 8 muaj burg.
Skema e tij funksiononte mbi një mashtrim të thjeshtë, por të përsëritur: gjatë udhëtimeve me taksi, ai kërkonte shuma të vogla parash nga shoferët dhe, për të fituar besimin e tyre, linte si “peng” në makinë qese plehrash apo sende pa vlerë. Në fund, largohej me premtimin se do të kthehej me paratë dhe pagesën e shërbimit, gjë që nuk ndodhte kurrë.
Sipas vendimit të siguruar nga A2 CNN, një nga rastet e para u regjistrua në nëntor 2024, kur i pandehuri mori një taksi në bulevardin “Bajram Curri” dhe i kërkoi shoferit 2 mijë lekë, duke lënë në vend të garancisë një qese mbeturinash. Një javë më vonë, një tjetër taksist u mashtrua me të njëjtën metodë, ku në bagazh iu la një kuti me rroba të përdorura dhe lëkura patatesh.
Në gjykatë, Emrah Sh. pranoi se kishte mashtruar të paktën pesë taksistë dhe shprehu pendesë për veprimet e tij, duke kërkuar mëshirë. Megjithatë, gjykata e Tiranës e shpalli fajtor për veprën penale të “mashtrimit”, duke e dënuar fillimisht me 2 vjet e 6 muaj burg, që më pas u zbut në 1 vit e 8 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Ky rast i pazakontë ka shkaktuar reagime të shumta, duke treguar sesi edhe mashtrimet më të thjeshta mund të kthehen në një seri skemash kriminale që përfundojnë me ndëshkim penal./ A2 CNN