
Ndërsa Shqipëria përgatitet për fillimin e mandatit të katërt të Edi Ramës, diskutimet për përbërjen e qeverisë së re kanë marrë hov. Kabineti që do të formohet pritet të jetë përcaktues jo vetëm për balancat e brendshme të Partisë Socialiste, por edhe për mënyrën se si do të menaxhohen interesat ekonomike e politike në vitet e ardhshme.
Kandidatët Për Ministrinë E Brendshme
Një nga postet më të ndjeshme, ai i Ministrit të Brendshëm, po shihet si një gur kyç në këtë riformatim. Katër emra kanë dalë në qarkullim si kandidatë potencialë: Romina Kuko, Ulsi Manja, Vlora Hyseni dhe Ervin Hoxha. Të katërt shihen si figura që gëzojnë besimin e kryeministrit, pasi nuk mbartin probleme të hapura me drejtësinë dhe kanë një profil të përshtatshëm për t’u angazhuar në vijën e parë të qeverisjes.
Rënia E Ballukut Dhe Shansi I Spiropalit
Figura e Belinda Ballukut mbetet një nga pikat më enigmatike të këtij procesi. Një nga skenarët më të përfolur është kalimi i saj në drejtimin e Kuvendit, çka do të hapte rrugë për Elisa Spiropalin që të përgatitet për një sfidë të madhe politike: drejtimin e Bashkisë së Tiranës në vitin 2027. Pas dobësimit të dukshëm të Veliajt në skenën politike, Spiropali po shihet si një emër që Rama mund ta projektojë në rolin e pasardhëses së tij.
Rindarja E Superministrisë
Nëse Balluku lëviz, pritet të ristrukturohet edhe superministria e saj. Burime flasin për ndarjen në tri fusha kryesore: energjia dhe industria, transportet dhe infrastruktura/ndërtimi. Secila prej tyre, edhe pse e ndarë, do të mbetet me peshë të madhe strategjike.
Hipoteza Dhe Supriza
Në listën e emrave qarkullon edhe një hipotezë e pazakontë: përfshirja e Dash Sulas si ministër i Drejtësisë, gjë që do të interpretohej si një lëvizje ironike e Ramës në raport me opozitën dhe drejtësinë. Megjithatë, edhe nëse kjo mbetet thjesht spekulim, pritet që ndryshimet të jenë të thella dhe të prekin mbi 10 institucione të nivelit të lartë.
Reforma E Re Në Pushtetin Vendor
Reforma në nivel qendror pritet të shoqërohet nga një reformë tjetër në pushtetin vendor. Skenari që qarkullon është shkrirja e disa bashkive ekzistuese dhe rikthimi i tyre në njësi administrative, duke e riformatuar edhe më tej hartën politike të vendit.
Në çdo rast, qeveria e re e mandatit të katërt do të prezantohet si “qeveria e integrimit europian”, me objektiv të qartë për të avancuar procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, pavarësisht se pas kuintave lëvizjet lidhen edhe me luftën për pushtet dhe mbijetesën politike.