
Kryeministri Edi Rama mori pjesë në Forumin Strategjik të Bledit në Slloveni, ku ishte ulur në një panel me Marta Kos, Komisionere për Zgjerimin e BE-së, Robert Golob, Kryeministër i Sllovenisë, Andrej Plenkovic, Kryeministër i Kroacisë, dhe Milojko Spajić, Kryeministër i Malit të Zi.
Batutat E Ramës Në Panel
Ashtu si shpeshherë në dalje publike, Rama nuk kurseu batutat. Ai ironizoi mbi karrigen ku ishte ulur, duke shkaktuar të qeshura në panel:
“Nuk e di për çfarë arsye, por karriget bëhen më të vogla e më të parehatshme. Mos keni ndonjë mesazh për të na përcjellë? Për të na thënë që ta mbyllim shpejt? S’duhet të kishit ftuar njerëz nga Ballkani, aq më keq kandidatët, që është edhe më dëshpëruese.”
Kreu i qeverisë shtoi me ironi se edhe pse nuk mund të pretendohet një anëtarësim të menjëhershëm në BE, Shqipëria ka objektiva të qarta deri në vitin 2027.
Mesazhi Për Rrugën Drejt BE-së
Duke iu referuar procesit të negociatave, Rama theksoi se Shqipëria po punon për të përmbushur kriteret e vendosura nga Komisioni Europian:
“Po shtyjmë, po ecim përpara dhe nuk po bëjmë pyetje. Falë objektivave të qarta dhe punës që kemi para, synojmë të përmbyllim negociatat deri në vitin 2027.”
Rama e cilësoi këtë rrugëtim si një sfidë të vështirë, por theksoi se vendi është i vendosur të mbetet në shinat e integrimit europian.