Erion Braçe, Deputeti  me Sjellje Histerike dhe Kujtesë Selektive

0

Erion Braçe, një individ që ka kaluar mbi 25 vite në karrigen e deputetit, sot shfaqet në rrjete sociale si “rojtari moral” i publikut. Në vend që të ofrojë reflektim mbi dështimet e tij politike apo mbi korrupsionin që ka përpirë qeverinë e vet, ai del nëpër qytet, filmon prona private të qytetarëve dhe i publikon me tone histerike sikur po denoncon skandale. Në realitet, nuk bën gjë tjetër veçse ofendon njerëzit, etiketon pronarë privatë si “kioska” dhe ushtron një fushatë personale për vëmendje.

Ironia është se i njëjti Braçe, i cili sot bën sikur nuk e zë gjumi për qytetarët, është filmur vetë në fushata zgjedhore, madje edhe ditën e zgjedhjeve, pranë individëve me precedent penal apo të njohur si “të fortët e zonës”. Atëherë nuk kishte shqetësim moral, nuk kishte deklarata histerike për “ligj dhe rregull”, sepse pushteti dhe vota e garantonin rehatinë e tij politike.

Edhe më skandaloze është heshtja e tij ndaj aferave më të mëdha të korrupsionit të dekadës. Dosja e inceneratorëve, që ka çuar në burg ish-ministra dhe deputetë të qeverisë ku ai vet ka qenë pjesë, nuk ka marrë asnjë koment nga Braçe. Ai ka zgjedhur të mbyllë sytë edhe përballë burgosjes së adashit të tij, kryebashkiakut të Tiranës, bashkëshortja e të cilit vetëm për veshmbathje kishte shpenzuar 1 miliard lekë. Për këto skandale, nuk ka guxim të thotë as edhe gjysmë fjale.

Në vend të një politike serioze, publiku sheh një deputet të kthyer në karikaturë publike, që bën zhurmë për kioska dhe filma nëpër qytet, ndërkohë që hesht për miliarda të vjedhura nga fondet publike. Ky është kontrasti grotesk i një njeriu që pretendon të jetë zëri i drejtësisë, por në fakt është thjesht një figurë e konsumuar politike, që kërkon mbijetesë përmes zhurmës dhe histerisë.


Artikulli i mëparshëmMotoristi I Wolt Tallet Me Klientin: A Trajnohen Punonjësit Në Shqipëri Nga Kompanitë Shumëkombëshe, Apo Edhe Vetë Ato “Shqiptarizohen”?
Artikulli i radhësTragjedia në Ishujt Kanarie: 70 Emigrantë Humbin Jetën, Hetim për Vrasje të Dyshuara