
Diskutimi për projektbuxhetin e vitit të ardhshëm në Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP) është shndërruar në një përplasje të ashpër. Në mbledhjen e fundit, anëtari Sokol Stojani akuzoi kryetaren Mirela Bogdani për mungesë vizioni, abuzime dhe drejtim katastrofik të institucionit.
Shigjetat për buxhetin dhe “retreat-et”
Stojani kritikoi ashpër faktin që si prioritet ishte vendosur “garantimi i pagave” dhe sidomos parashikimi i 15 retreat-eve shumëditore për KLP.
“Oh Zot! Garantimi i pagave nuk është diskutuar as në ’97-ën! Pastaj thotë se do bëjmë parashikime, 15 retreat-e. 15?! Çfarë jemi ne, agjenci udhëtimi? Si do kthehet kjo, në KLP Travel?!” – tha ai me ironi.
Sipas tij, buxheti nuk pasqyron nevoja reale, por është kthyer në plan pushimesh për anëtarët e këshillit.
Akuzat për abuzim me detyrën
Anëtari i KLP akuzoi Bogdanin se gjatë verës kishte ndërhyrë në mënyrë abuzive në funksionimin e institucionit, duke bllokuar protokollimin e kërkesave dhe ankesave. Ai theksoi se kryetarja, edhe pse me leje, kishte vepruar në kundërshtim me ligjin duke mos njoftuar zv.kryetarin dhe sekretarin e përgjithshëm.
“Ju, në mënyrë abuzive, keni ndikuar që të mos protokollohen kërkesat dhe ankesat. Ikët në plazh dhe nuk njoftuat askënd. Ky është perceptim i gabuar i detyrës.”
Turpi me magjistratët e rinj
Një tjetër pikë e rëndë sipas Stojanit ishte ceremonia e emërimit të magjistratëve të rinj për prokurorë. Ai e quajti “turp” dokumentin e shpërndarë, pa titull e pa format, duke shtuar se nuk ishin ftuar as familjarët, as prokurorët e rretheve dhe as personalitete të shtetit.
“Ky është eventi më i rëndësishëm për magjistratin. Dhe çfarë bëhet? Si vaki. Nuk u organizua, nuk u ftua askush.”
Heshtja e KLP-së përballë sulmeve ndaj prokurorëve
Debati mbi buxhetin dhe mungesën e lidershipit vjen në një kohë kur Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk ka reaguar ndaj sulmeve të pushtetit ekzekutiv ndaj prokurorëve gjatë verës. Audion 57-minutëshe e siguruar nga A2 CNN nuk përmban mbylljen e mbledhjes dhe as replikën e plotë të Bogdanit.