
Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas, e ka cilësuar takimin mes presidentit kinez Xi Jinping, presidentit rus Vladimir Putin, liderit iranian dhe atij të Koresë së Veriut në Pekin si një sfidë të drejtpërdrejtë për rendin ndërkombëtar.
Aleanca autoritare për një rend të ri botëror
Sipas Kallas, ky takim nuk është thjesht një tubim diplomatik, por një bashkim forcash mes regjimeve autoritare që kërkojnë të krijojnë një rend të ri global, të ndërtuar mbi interesa të përbashkëta dhe jo mbi rregullat e vendosura ndërkombëtare.
“Ajo që po shohim është një aleancë autoritare që kërkon një proces të shpejtë drejt një rendi të ri botëror. Kjo nuk është vetëm një perspektivë anti-perëndimore, por një sfidë serioze për arkitekturën e rendit ndërkombëtar,” – tha ajo.
Qëndrimi për Ukrainën
Kallas theksoi gjithashtu se lufta e Rusisë kundër Ukrainës është shembulli më i qartë i këtij rreziku, duke akuzuar Kremlinin se nuk ka asnjë interes për t’i dhënë fund konfliktit. Për BE-në, sipas saj, kjo nënkupton më shumë mbështetje ushtarake, ekonomike dhe diplomatike për Kievin.
Ajo u shpreh se çdo armëpushim pa garanci reale është i rrezikshëm, duke shtuar:
“Një Ukrainë e fortë ushtarakisht është garancia më e fortë e sigurisë për Evropën.”
Një realitet i ri për Evropën
Kallas nënvizoi se Kina ka mbështetur hapur Rusinë në luftën e saj dhe se ky fakt duhet të shërbejë si një paralajmërim për Evropën. Për të, Perëndimi duhet të përshtatet me këtë realitet të ri, duke forcuar unitetin dhe gatishmërinë për të përballuar sfidat që vijnë nga lindja.