
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, deklaroi se Shqipëria nuk do të ketë një Kod Penal të ri pa miratimin e Brukselit. Në një konferencë për mediat pas tryezës së parë të konsultimit publik, ai tha se çdo nen do t’i nënshtrohet diskutimeve të hapura dhe procesit të 25 tryezave kombëtare.
Konsultimet publike si kusht
Sipas Manjës, drafti i parë është hartuar nga një grup pune i kryesuar nga kreu i Shkollës së Magjistraturës, por tashmë ai i takon publikut. “Çdo nen i Kodit do të debatohet dhe konsultohet. Nuk ka asnjë praktikë që një kod penal të shkruhet nga grupe interesi të caktuara. Duhet gjithëpërfshirje”, – u shpreh ai.
Roli i BE-së dhe standardet europiane
Ministri nënvizoi se miratimi i Kodit Penal do të vijë vetëm pasi të jenë përmbushur standardet e kërkuara nga Bashkimi Europian. Vetëm pas “vulës” nga Brukseli, drafti mund të kthehet në ligj përfundimtar.
Dekriminalizimi i shpifjes
Një nga çështjet më të debatueshme është shpifja, e cila sipas Manjës është në diskutim për dekriminalizim. Ai konfirmoi se brenda muajit tetor do të ketë një tryezë të veçantë për këtë temë, në kuadër të gjashtë direktivave që Shqipëria ka marrë angazhim të zbatojë.
Procesi i hartimit të Kodit të ri Penal është paraqitur si më i gjati dhe më gjithëpërfshirësi i dekadave të fundit. Megjithatë, fakti që ai kushtëzohet nga “OK” i BE-së e kthen Shqipërinë në një skenar ku vendimet kryesore të drejtësisë varen nga jashtë, ndërsa debati i brendshëm mbetet thjesht formalitet për t’i dhënë legjitimitet politik procesit.