Mediat belge e quajnë “mbretëri” organizatën e vëllezërve Çopja nga Elbasani

0

Mafia shqiptare ka qenë sërish në qendër të vëmendjes së mediave ndërkombëtare. Gazeta prestigjioze belge “Le Soir” i ka kushtuar një analizë të gjatë dhe të detajuar goditjes së fundit ndaj klanit mafioz të Çopjave, të cilin e përshkruan si një nga organizatat më të rrezikshme në planet. Artikulli e përshkruan këtë strukturë kriminale si një “mbretëri” që u ngrit nga Elbasani dhe që ndikoi në tregun e kokainës në Europë.

Operacionet ndërkombëtare dhe sekuestrimet

Goditja e fundit, e kryer në fillim të gushtit, u organizua nga policia shqiptare në bashkëpunim me autoritetet franceze, belge, gjermane, holandeze dhe italiane. Rezultati ishte arrestimi i dhjetë personave të besuar të klanit dhe sekuestrimi i një kompleksi hotelier, vilash me pishina, apartamentesh dhe makinash luksoze, me vlerë disa milionë euro. Po ashtu, u gjetën dhe 120 mijë euro në para të gatshme.

Sipas “Le Soir”, ky është vetëm “maja e ajsbergut”, pasi çdo herë që autoritetet ndërkombëtare kanë ndërhyrë, kanë gjetur pasuri të mëdha të akumuluara nga aktiviteti kriminal i klanit.

Pionierët e kokainës në Europë

Klanit iu dha një goditje e fortë që në vitin 2021, kur u zbërthye aplikacioni i mesazheve të enkriptuara SkyECC, i cili u zbuloi hetuesve qindra komunikime të anëtarëve të Çopjave. Pikërisht këto mesazhe e kthyen grupin në objektiv kryesor të Europol.

Historia e tyre nisi në Elbasan në vitin 2007, me vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja, të cilët fillimisht u morën me tregti droge në nivele të vogla, por shpejt krijuan lidhje me kartelet e Amerikës Latine. Në vitet që pasuan, ata importuan dhjetëra tonë kokaine drejt Europës dhe ngritën laboratorë në Bruksel, duke i dhënë vetes mundësinë të kontrollonin drejtpërdrejt çmimet e tregut. Brenda pesë vitesh, sipas hetuesve, Çopjat ishin në gjendje të ndikonin në çmimin e kokainës në kontinent.

Pasuritë dhe investimet në Shqipëri e Dubai

Klanit iu akuzua gjithashtu për përfshirje në pastrimin e parave dhe trafikun e armëve. Ata investuan shuma të mëdha në ndërtime, bare, restorante dhe kompani ndërtimi në Tiranë dhe Elbasan. Sipas raportimeve, vetëm në Dubai kanë investuar mbi 200 milionë euro, përfshirë blerjen e një vile gjigante në zonën luksoze Dubai Hills, ku çmimet variojnë nga 1.5 deri në 7.8 milionë euro.

Rivalitetet dhe vrasjet e përgjakshme

Rritja e fuqisë solli dhe konflikte. Çopjat hynë në përplasje me klanin Alibej, duke nisur një seri vrasjesh në Shqipëri dhe Europë. Vetëm në vitet 2019–2020, ata u lidhën me ekzekutime të shumta, përfshirë atë të Ardit Spahiut, në Molenbeek të Brukselit.

Në vitin 2023, Franc Çopja u arrestua në Dubai dhe u ekstradua në Belgjikë, ndërsa një vit më pas u arrestua edhe vëllai i tij Hajdar. Të dy përballen me akuza për vrasje, trafik droge, pengim të drejtësisë dhe posedim të paligjshëm armësh.

Fundi i një “mbretërie” mafioze?

Operacionet e koordinuara nga Europol dhe arrestimet e fundit janë parë nga mediat ndërkombëtare si fundi i “mbretërisë” Çopja, një prej organizatave më të fuqishme dhe më të frikshme shqiptare në skenën e krimit të organizuar. Megjithatë, siç e thekson “Le Soir”, hapësirat e krijuara nga rënia e tyre mund të shfrytëzohen nga grupe të tjera që synojnë të marrin kontrollin e tregut të kokainës në Europë.

Ky rast mbetet një provë e madhe jo vetëm për drejtësinë shqiptare, por edhe për bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar shqiptar.

Artikulli i mëparshëmIrena Gjoka, gjyqtarja e dosjes Meta: Një përballje e re mes drejtësisë dhe politikës
Artikulli i radhësTrump paralajmëron Putinin pas paradës së Pekinit: SHBA gati për reagim