
Pas tërheqjes së Denar Bibës nga gara për kreun e Gjykatës Kushtetuese, procesi ka marrë një tjetër kthesë. Zyrtarisht, në listë figurojnë disa kandidatë, por burime të brendshme flasin qartë: Alban Toro, Asim Vokshi dhe Florian Ballhysa janë tre emrat që po shtyhen fort për të marrë pozicionet kyçe.
Por kush janë ata dhe çfarë lidhjesh qëndrojnë në sfond?
Asim Vokshi – Gjyqtari me lidhje të hershme politike
Ish-gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë, sot i njohur në qarqet e drejtësisë si një emër i favorizuar nga lidhjet e ngushta me figura të së kaluarës. Bashkëshortja e tij ka qenë asistente lektore në Fakultetin e Drejtësisë, në një lëndë ku pedagoge kryesore ishte Argita Malltezi, vajza e ish-kryeministrit Sali Berisha.
Vokshi u ngjit në Gjykatën e Apelit në të njëjtën kohë me Fatri Islamajn, ish-kryetar i Gjykatës së Shkallës së Parë, i përfolur për afërsinë me rrethin e Berishës. Të dy këta janë miq, njëkohësisht dhe kolegë me Edlira Petrin, bashkëshorten e Sokol Sadushit, që sot konsiderohet si dirigjenti i padukshëm i gjyqësorit.
Alban Toro – Avokati me rrjet familjar në gjyqësor
Avokat me profil publik të kufizuar, por me lidhje të forta në sistem. Bashkëshortja e tij, Elona Toro, është gjyqtare në Gjykatën e Apelit. Edhe ajo, ashtu si Vokshi, gjendet në të njëjtin rreth profesional dhe shoqëror që lidhet ngushtë me familjen Sadushi. Rrjeti i këtyre lidhjeve familjare e bën Toron një kandidat që nuk rrezikon shumë surpriza – mbështetja duket e garantuar.
Florian Ballhysa – Komisioneri i vjetër i Vettingut
Ish-komisioner publik, i cili mbante në dorë një nga çelësat më të rëndësishëm të reformës në drejtësi: të vendoste nëse do të apelonte apo jo vendimet e shkallës së parë të Vettingut. Emri i tij është përfolur shpesh për shkëmbime favoresh: në disa raste nuk ka ushtruar ankime ndaj gjyqtarëve me probleme flagrante, ndërsa në raste të tjera ka shënjestruar me ankime gjyqtarë që kishin mosperputhje minimale.
Ky arbitraritet e bëri figurë të diskutueshme, por gjithashtu tregoi aftësinë e tij për të manovruar me plane afatgjata. Ballhysa shpesh është përplasur me vëzhguesit ndërkombëtarë të ONM, duke krijuar përshtypjen se ambicia personale ishte më e fortë se integriteti i procesit.
Prapaskena: Loja e Sadushit
Tërheqja e Denar Bibës duket se ka hapur rrugën për një skenar ku ndikimi i Sokol Sadushit bëhet edhe më i dukshëm. Me një rrjet të fuqishëm të lidhjeve personale, akademike dhe familjare, Sadushi shihet si regjisori i vërtetë i emërimeve në Kushtetuese.
Zyrtarisht, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi do të shpallë vendimet finale. Por jozyrtarisht, duket qartë se tavolinat politike dhe lidhjet e ngushta të njerëzve të sistemit po caktojnë fituesit paraprakisht. Dhe në këtë lojë, Toro, Vokshi dhe Ballhysa janë tre emrat që pritet të ngjiten në majë, duke mbyllur qarkun e kontrollit mbi Kushtetuesen.