Trump paralajmëron Putinin pas paradës së Pekinit: SHBA gati për reagim

0

Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar ashpër pas fjalimit të Vladimir Putinit në Pekin, ku lideri rus kërcënoi se nëse Ukraina nuk pranon zgjidhjet diplomatike të propozuara nga Moska, Rusia “do ta marrë me forcë atë që i takon”. Deklarata e Putinit u bë gjatë samitit të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO), ku morën pjesë edhe presidenti kinez Xi Jinping dhe dhjetëra liderë të tjerë botërorë.

Trump: “Ai e di ku qëndroj unë”

Vetëm pak orë pas fjalimit të Putinit, nga Shtëpia e Bardhë, Trump u pyet nëse kishte një mesazh për presidentin rus. Përgjigjja e tij ishte e koduar, por e qartë:
“Jo, nuk kam ndonjë mesazh për të. Ai e di saktësisht ku qëndroj unë. Do të marrë një vendim, të drejtë apo të gabuar. Nëse është vendim që s’na pëlqen, do të shihni çfarë do të ndodhë.”

Duke folur krah presidentit polak Karol Naërocki, Trump shtoi: “Marrëdhëniet e mia me të gjithë këta njerëz janë të mira. Do të shohim sa të mira janë në javët e ardhshme”.

Parada në Pekin dhe mesazhet për SHBA

Trump pranoi se kishte ndjekur me vëmendje paradën e madhe ushtarake në Pekin, të cilën e cilësoi “shumë mbresëlënëse”. Sipas tij, organizimi i saj kishte një adresë të qartë: “Ata shpresonin që unë po e shikoja. Dhe po, unë e pashë”.

Ky koment i Trump nënkuptonte se SHBA e lexoi paradën si një shfaqje force nga Kina dhe Rusia, e destinuar për të sinjalizuar Perëndimit se aksa Lindore është më e konsoliduar se kurrë.

Putini sfidon Perëndimin me Xi Jinping

Ndërkohë, Putin nga Pekini forcoi edhe më tej lidhjet me Kinën. Ai njoftoi marrëveshjen për ndërtimin e tubacionit “Power of Siberia 2”, që do të furnizojë Kinën me miliarda metra kub gaz natyror me çmime të favorshme. Po ashtu, u njoftua heqja e vizave për qytetarët rusë që udhëtojnë drejt Kinës, një tjetër hap që tregon thellimin e aleancës strategjike mes dy vendeve.

Përmes takimeve të shumta me Xi Jinping dhe liderë të tjerë rajonalë, Putin u përpoq të tregonte se Rusia nuk është e izoluar, por një aktor i fuqishëm në skenën globale.

Një sfidë e heshtur mes dy liderëve

Deklaratat e njëpasnjëshme të Putinit dhe Trumpit shënojnë një ballafaqim të heshtur mes dy fuqive botërore. Nga njëra anë, SHBA synon të ruajë statusin e saj si superfuqi e pamposhtur, ndërsa Rusia – e mbështetur fuqishëm nga Kina – kërkon të shfaqet si pol alternativ i fuqisë globale.

Në këtë duel të ri gjeopolitik, asnjëri prej liderëve nuk dëshiron të japë shenja dobësie. Trump shpalos vendosmërinë për të reaguar nëse Rusia kalon vijën e kuqe në Ukrainë, ndërsa Putini përpiqet të tregojë se Moska ka aleatë dhe mjete për të vazhduar ofensivën e saj.

Një gjë është e qartë: konfrontimi mes Uashingtonit dhe Moskës po hyn në një fazë të re tensioni, me Kinën që luan rolin e katalizatorit në këtë përplasje globale.

Artikulli i mëparshëmMediat belge e quajnë “mbretëri” organizatën e vëllezërve Çopja nga Elbasani
Artikulli i radhës(VIDEO) Tragjedi në Lisbonë: Tramvaji historik “Gloria” del nga shinat, 15 viktima dhe dhjetëra të plagosur